Skandali i Mitsubishi, përgjysmohen shitjet në Japoni

E publikuar: 27/04/2016 18:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prodhuesi japonez i makinave “Mitsubishi Motors” tha se kërkesat e brendshme për automjetet e saj janë përgjysmuar që prej skandalit të javës së shkuar se kompania kishte manipuluar testet e konsumit të karburantit.

Presidenti i kompanisë, Tetsuro Aikaua, tha se situata ishte shumë serioze, por shtoi se nuk kishte ndërmend që të dorëhiqej së shpejti. Ai gjithashtu tha se nuk kishte dijeni se si skandali kishte ndikuar në shitjet jashtë vendit.

Veç përgjysmimit të shitjeve në Japoni, Mitsubishi humbi gjithashtu 50% të vlerës së aksioneve të tij.

Javën e shkuar, kompania Mitsubishi pranoi se kishte falsifikuar të dhënat e konsumit të karburantit për katër modele me motor të vogël që shiten vetëm në Japoni.

Por vetëm një ditë më parë, pasoi rrëfimi dhe më tronditës që Mitsubishi e bënte këtë mashtrim që prej 25 vitesh.

Drejtuesit e kompanisë kanë formuar një panel për të hetuar rastin, ndërsa mësohet se SHBA është një prej vendeve të para që ka nisur hetim zyrtar për të parë nëse makinat e kësaj kompania në vend kanë respektuar apo jo ligjet.

Për shkak të skandalit dhe pasigurisë për shtrirjen e dëmit, kompania Mitsubishi tha se nuk është në gjendje që të bëjë një parashikim për vitin financiar 2016-2017.

/TCh/