Skandali me gylenistët: Ministria e Infrastrukturës pranon mashtrimin nga kompania turke

E publikuar: 22/05/2018 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shteti i Kosovës ka rënë pre e gënjeshtrës së kompanisë turke të aviacionit që dëboi për në Turqi 6 shtetas turq, ditën e 29 marsit.

Duke kërkuar leje për fluturim komercial, Birleşik Inşaat kishte kërkuar që përmes saj të shkonte në Turqi vetëm një person.

E kjo do t’i kushtojë miliona euro gjobë kompanisë në fjalë.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, përgjegjësinë për hetime në këtë rast ia hodhi Ministrisë së Infrastrukturës, që ishte e përfshirë direkt në proces.

AAC kishte bërë vetëm kontrollin teknik të aeroplanit, me të cilin ishin deportuar gylenistët.

Nga ministria e Infrastrukturës thonë për FRONTAL, se nuk është kompetencë e Gjonbalajt që të flasë për hetime, e as për shuma.

Por, edhe ata flasin për milionat me të cilat mund të dënohet kompania e aviacionit nga Ankaraja.

Departamenti i aviacionit civil tashmë është duke zhvilluar një hetim për këtë rast.

Momentalisht ata janë duke pritur raportin që do të marrin nga komisioni parlamentar, që të ndjekin hetimin administrativ.

Tashmë organet kompetente kanë një dosje me informacione që ka dërguar Ministria e Infrastrukturës.

Gjobitja mund të ndodhë edhe nëse Ministria e Brendshme iu dorëzon videon ku shihet se bëhej fjalë për gjashtë persona, e jo për 1 siç ishte marrë leja.

2 muaj pasi 6 gylenistët po qëndrojnë të burgosur në Turqi, kompania e aviacionit nuk ka bërë asnjë kërkesë për të fluturuar në Kosovë.