Skandalet që ndodhën gjatë mandateve të Shpend Maxhunit në krye të Policisë

E publikuar: 20/04/2018 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish- drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, që nga dita e sotme do udhëheq me Agjencinë Kosovare të Intelegjencës (AKI). Kjo u bë e ditur nga zyra e presidentit Hashim Thaçi, i cili së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë marrë vendim që krye-spiun i Kosovës për pesë vitet e ardhshme të jetë ish-drejtori i Policisë së Kosovës.

Maxhuni, i cili kishte drejtuar Policinë e Kosovës, që nga viti 2011, njihet si drejtori në kohën e së cilës Policia ka pasur skandale të mëdha.

Në kohën sa ky ishte drejtor i Policisë së Kosovës, ishin vjedhur hiç më pak se 25,3 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë. Një krim që nuk ishte zbardhur asnjëherë.

Maxhuni në atë kohë kishte pranuar se kjo vjedhje e ka dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës, dhe kishte paralajmëruar se autorët e kësaj vepre do të vihen para drejtësisë. Por, ani pse kanë kaluar shumë vjet nga ky rast, ende nuk është zbardhur.

“Këto dy raste të izoluara kanë ndikuar në imazhin e Policisë së Kosovës, por unë besoj se puna e mirë që po bën Policia mbron imazhin e mirë që vazhdon të ketë Policia. “Këtë vit së bashku me menaxhmentin e kemi ngrit sigurinë në dhomat e dëshmive në Policinë e Kosovës. Kemi siguruar një donacion për sigurimin e dhomave të dëshmive dhe tash e tutje do të jenë të siguruara në bazë të standardëve”, kishte thënë Maxhuni në vitin 2012.

E ky nuk ishte skandali i vetëm i Policisë së Kosovës, në kohën sa Maxhuni ishte në krye të këtij institucioni.

Policia e Kosovës ia kishte dhënë dy tenderë bashkëshortes së një biznesmeni i cili akuzohet se mashtroi Policinë në disa tenderë. Vlera e tenderëve të fituar kishte qenë rreth 700 mijë euro.

Insajderi kishte zbuluar se kompania “Sodex Group”, që figuron në pronësi të Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, kishte fituar dy tenderë nga Policia e Kosovës. Njërin e pati fituar në dhjetor të vitit 2015 për furnizim me maska që peshon mbi 60 mijë euro dhe tjetrin në janar të vitit 2016 për furnizim me pajisje policore në vlerë prej 620 mijë eurosh.

Kompania Friends ku bashkëshorti i saj ka rol udhëheqës e ka të ndaluar të fitojë tenderë publikë për shkak të mashtrimeve që ka bërë në të kaluarën.

Autoritetet policore kishin pasur një histori të gjatë të përfshirjes në afera të dyshimta me firmat e këtyre dy biznesmenëve, Armend Selimi e Astrit Pira.

Pira dhe Selimi ishin arrestuar në tetor të vitit 2011 nën dyshimin për korrupsion në tenderin e furnizimit me armë. Prokuroria Speciale në janar të vitit 2015 ngriti aktakuzë ndaj tyre dhe dy zyrtarëve policorë dhe një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjatë periudhës së Shpend Maxhunit, ishte dhënë një tender për furnizim me rroba civile për Policinë e Kosovës-në, e të cilin e kishte fituar kompania e Sami Kelanit, vëllait të zëdhënësit Beki Kelani.

Shpend Maxhuni përmendet edhe në aferën Pronto 2, ku Grabovci përmes tij i kishte punësuar disa njerëz në Polici. Madje, në kohën sa ishte në krye të Policisë së Kosovës, djemtë e Adem Grabovcit, kishin rrahur deri në alivanosje policin nga Vushtrria Avni Selaci.

Në media ishte raportuar se si Guximi dhe Ngadhënjimi gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor ishin sjellë në mënyrë arrogante.

“Ata janë sjellë duke reaguar se pse janë sjellë aty duke e pasur parasysh se djemtë e kujt janë”, pati thënë një zyrtar policor që në atë kohë kanë qëlluar në stacion kur janë sjellë të dyshuarit.

Fillimisht, prokurorja që kishte qenë kujdestare ditën kur ndodhi sulmi, Merrushe Llugiqi, rastin e pati kualifikuar vetëm si vepër kundërvajtje, por pas raportimit të medieve Prokuroria nga kundërvajtje, prokuroria e ka kualifikuar atë në vepër penale, si sulm ndaj personit zyrtar.

Në kohën sa ai ishte drejtor i Policisë së Kosovës, disa policë kishin rrahur fizikisht drejtorin e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Maxhuni është bërë pjesë e Policisë së Kosovës në vitin 1999 dhe është diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë njeriu kryesor në ndërhyrjen e pasuksesshme të Polcisë së Kosovës në veri më 25 korrik 2011 ku kishte mbetur i vrarë polici Enver Zymberi./Insajderi.com