Sivjet 34 mijë nxënës në shkollë të mesme

E publikuar: 22/06/2015 00:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nesër përfundon afati për dorëzimin e dokumenteve nëpër shkolla të mesme për nxënës të klasave të nënta. Për këtë vit shkollor në të gjithë Kosovën do të pranohen gjithsej 34 mijë semimaturantë.

Për vitin shkollor 2015-2016, është hapur konkursi për pranimin e rreth 34 mijë nxënësve në shkollat e mesme, pas publikimit të rezultateve të testit të arritshmërisë.

Në gjimnaze në tërë vendin për këtë vit shkollor do të pranohen mbi 21 mijë nxënës derisa në shkollat profesionale do të mund të vijojnë mësimin e mesëm afër 13 mijë nxënës. Ndërsa, shkolla e kompetencës në Skenderaj këtë vit shkollor do të ketë 300 nxënës. Për herë të parë në këtë shkollë do të ketë drejtim për dizajn mode dhe enterier. Njëherësh, do të ketë edhe stimulime për nxënësit që dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin e tyre në këtë shkollë.

Drejtor të shkollave të mesme thonë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për pranimin e dokumenteve të nxënësve të klasave të nënta. Si kritere për nxënësin që të pranohen në shkollë të mesme ku ai dëshiron, është suksesi i mirë në shkollën fillore dhe pikët e arritura në testin kombëtar të semimaturës.

Drejtues të Ministrisë së Arsimit thonë se kriteret për pranimin e nxënëseve këtë vit janë duke u zbatuar me shumë përpikëri.
“Te kriteret për regjistrim është suksesi i shkollimit të obliguar, në rastin e përfundimit të klasës së nëntë që ato mund t’i marrin deri në 25 pikë, suksesi nga lëndët prioritare në test të arritshmërisë që maksimumi 15 pikë dhe suksesi i përgjithshëm nga vlerësimi i jashtëm, provimi i arritshmërisë që është 60 pikë…” tha për televizionin publik Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit.

Konkursi për dorëzimin e dokumenteve nëpër shkollat e mesme ka filluar të enjten dhe do të jetë i hapur deri më 22 qershor.