Sivjet 20 mijë hektarë më pak me grurë (VIDEO)

E publikuar: 29/03/2017 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë këtij viti, Kosova ka pasur afro 20 mijë hektarë grurë më pak të mbjellur.

Në këtë gjë ka ndikuar, konkurrenca jo e drejtë në raport me prodhuesit e grurit të vendeve fqinje, importet e pakontrollueshme dhe mbështetja jo e kënaqshme e fermerëve nga ana e Qeverisë.

Kështu u bë e ditur në tryezën e përbashkët të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës me Odën Ekonomike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se është koha kur duhet të fillohet me një kampanjë dhe të promovohen shembuj të cilët do të ndikonin në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e prodhimit vendës, ngase sipas tij gjatë vitit 2016 Kosova importoi para të gatshme afro 6 miliardë euro.

“Në vitin 2017 kemi afro 20 mijë hektarë më pak të mbjellur me grurë sesa në vitin 2016 dhe jemi këtu për të gjetur mënyrën se si të mbrohet prodhimi vendor”, tha ai.

Nga analiza e Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës rrjedh se bujqit, prodhues të grurit në Kosovë janë gjithmonë të ekspozuar konkurrencës së padrejte të produkteve të grurit të cilët importohen në Kosovë.

Pal Gjuraj, nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit, tha se fermerët kosovarë po përballen me probleme të shumta, dhe kjo sipas tij ka bërë që të bie interesimi për kultivimin e këtij produkti.Kosova, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, çdo vit prodhon rreth 285,000 tonë grurë. Kjo përbën plotësimin e rreth 70% të nevojave të Kosovës për grurë.