Situata politike rrezikon investimet e huaja

E publikuar: 23/02/2017 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Situata politike po pengon interesimin apo ardhjen e investitorëve ndërkombëtar në Kosovë, investime këto që vazhdimisht janë cilësuar si promotor i zhvillimit ekonomik, thonë zyrtarë të qeverisë dhe përfaqësues të subjekteve ekonomike në vend.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte në vend deri në muajin nëntor të vitit të kaluar kanë qenë rreth 220 milionë euro, kurse në vitin 2015 këto investime kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se përpjekjet për tërheqjen e investitorëve të huaj nuk kanë munguar, por që sipas saj, situata politike sidomos zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, kanë ndikuar në zbehjen e interesimit të investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.

Ambienti për të investuar në Kosovë, ministrja Bajrami, thotë se nuk ka qenë asnjëherë më i favorshëm, duke filluar nga reformat, politikat fiskale, legjislacionin si dhe eliminimi i procedurave burokratike.

“Të themi të drejtën edhe ne këtë ia kemi atribuuar krizës politike që kanë qenë në Kuvend dhe protestave në rrugë, për shkak se nuk ka ndonjë arsye tjetër pse duhet të ketë rënie të investimeve të huaja. Ka pasur shumë kompani që janë interesuar, disa nga to i kemi asistuar dhe kanë realizuar investimet këtu. Mirëpo kemi pasur një rënie”, thotë Bajrami.

Megjithatë, ministrja Bajrami ka treguar se kompanitë e huaja të cilat kanë vizituar Kosovën, janë interesuar për sektorë të ndryshëm për investime, duke filluar nga burimet e energjisë se ripërtritshme, shërbime dhe përpunim të ushqimit, tekstilit, metaleve dhe mineraleve.

Edhe përfaqësues të asociacioneve ekonomike, pohojnë se situata politike mund të jetë një ndër faktorët që ndikojnë në këtë proces.

Drejtori në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se situata politika është faktor i rëndësishëm në vendimin e investitorëve të cilët synojnë që kapitalin e tyre të shtrijnë në vende tjera.

Zeka thekson se të gjitha partitë politike gjatë fushatës zgjedhore, prioritet në programin e tyre kanë pasur zhvillimin ekonomik.

Por, veprimet aktuale të partive politike, por edhe të institucioneve qeveritare janë në kundërshtim me prioritetet e përfshira në atë periudhë.

“Ka qenë një lajm i mirë në vitin 2014, kur të gjithë flisnin një zëri për rëndësinë e zhvillimit ekonomik për rëndësinë e fuqizimit të sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Megjithatë dinamika institucionale, natyrisht edhe zhvillimet politike brenda Kuvendit të Kosovës kanë qenë në kundërshtim me prioritetet e vëna nga partitë politike”, thotë Zeka.

Agjenda ekonomike është në fokusin e qeverisë aktuale ka thënë ministrja Bajrami, duke shtuar se përkushtimi në këtë drejtim asnjëherë nuk ka munguar, por që investitorët ndërkombëtar kërkojnë stabilitet politik.

“Një investitor kur vjen është i interesuar të ketë stabilitet politik, politika fiskale dhe politika tjera që ne tashmë i kemi instaluar, që së paku ai të parashikojë biznesin e tij, për një periudhë të caktuar”.

“Nëse nuk ka stabilitet politik, investitori i jashtëm nuk mund të realizojë parashikimet në mënyrën e duhur, rrjedhimisht shkalla e rrezikshmërisë rritet, kështu që ai mund të vendos që mos të investojë”, ka thënë Bajrami.

Ekspertë për çështje ekonomike, vazhdimisht kanë thënë se vetëm me investime të huaja mund të zhvillohen resurset humane duke punësuar njerëz të rinj në veprimtarinë e ndonjë biznesi të caktuar./rel/