Sistemi për thirrjen e ezanit në Izmir është hakuar, dëgjohet kënga “Bella Ciao” nëpër xhami në muajin e shenjtë të Ramazanit

E publikuar: 22/05/2020 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet turke kanë filluar hetimet pasi që në qytetin e Izmirit është hakuar sistemi për thirrjen e ezanit nëpër xhami, kështu që nga minaret e xhamive është dëgjuar kënga italiane “Bella Ciao”.

Kjo këngë është lëshuar në vend të thirrjeve për lutje, që zakonisht dëgjohet pesë herë në ditë nëpër xhami në mbarë botën, transmeton Telegrafi.

Autoritetet lokale turke të bashkësisë islame kanë konfirmuar se ka ndodhur ky incident, duke paralajmëruar se tashmë kanë filluar hetimet dhe se policia po bën të pamundurën për të kapur kryesit e kësaj vepre.

“Bella Ciao është lëshuar pasi persona të panjohur kanë sabotuar dhe në mënyrë ilegale kanë hakuar sistemin tonë të lutjes”, thuhet në kumtesë.

Prokuroria në Izmir ka filluar hetimet lidhur me këtë incident, ndërkaq në anën tjetër zëdhënësi i partisë në pushtet Omer Celik, ka shkruar në Twitter duke dënuar rëndë këtë incident dhe duke u zotuar se kryesit e kësaj vepre do të dalin para drejtësisë.

Kujtojmë që incidenti ka ndodhur në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhe në kohën kur xhamitë janë të mbyllura për shkak të pandemisë së coronavirusit.