Sipas zëdhënëses së BE-së, edhe çështja e Trepçës pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

E publikuar: 05/02/2019 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe përkundër faktit se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar Statutin e ri për Trepçën, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka thënë çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, ka për qëllim që të gjitha çështjet e hapur ndërmjet dy shteteve t’i zgjidh nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”, ka thënë Koacijançiç, e pyetur për pasojat që mund të ketë miratimi i Statutit për Trepçën që u votuar para pak ditësh në Parlamentin e Kosovës dhe debatit për fatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton RTK.

Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova të pezullojë vendimin për taksën, që do të mundësonte një kthim të shpejtë në dialogun e Brukselit.

Ndërkohë edhe krerët e shtetit serb vazhdimisht e kanë potencuar se nuk do t’i kthehen dialogut derisa Prishtina nuk e zhbën vendimin për taksën.

Po ashtu ditë më parë janë organizuar edhe protesta në veri kundër vendimeve të Prishtinës për Trepçën, duke thënë se autoritetet kosovare po tentojnë që ta grabisin Trepçën dhe të lënë serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës pa punë.

Siç shkruan ‘Novosti’, Prishtina kishte refuzuar që në dialogun e Brukselit ta vinte në diskutim çështjen e Trepçës, pasi e konsideronte si pronë të Republikës së Kosovës, dhe për Kosovën një gjë e tillë ishte punë e kryer.