Sipas Drecunit, oferta amerikane për dialog rihapka çështjen e statusit të Kosovës

E publikuar: 06/05/2019 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, i njohur për qëndrimet nacionaliste ndaj shqiptarëve e Kosovës, deklaroi sot se duhet të shfrytëzohet oferta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bisedohet për Kosovën, meqë, sipas tij, ajo ofertë nuk do të mbetet gjatë në tavolinë, raporton agjencia e lajmeve e Serbisë, FoNet, transmeton Koha.net.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur për idenë e rikufizimit (me Kosovën – v.j.) në kuptim të rihapjes së çështjes së statusit në momentin kur edhe nga SHBA ka ardhur sinjali se edhe ata e kanë në mendje të njëjtën gjë, citohet të ketë thënë Drecun.

Drecun ka shpjeguar se ideja për rikufizim, sidomos për sponsorët e pavarësisë së Kosovës, ka përfunduar, meqë ata konsiderojnë se Kosova duhet të vazhdojë të funksionojë si shtet i pavarur, transmeton Koha.net.

Sipas Drecunit “Në SHBA, megjithatë, konsiderojnë se duhet të bisedohet rreth asaj që ky shtet duhet të modelohet ndryshe, sidomos disa pjesë të tij ku serbët përbëjnë tërësi kompakte siç është Kosova veriore, Anamorava e Kosovës dhe Shtërpca” .

Ai shprehet i bindur se shumëkush këtë e kishin kuptuar si vendosje të kufirit që u minua brutalisth nga një pjesë e opionit të brendshëm, por edhe në planin ndërkombëtar, në radhë të parë nga Gjermania. Drecun i ka bërë thirrje partive të veçanta në Serbi “që të jenë unike kur është fjala për interesat fondamentale nacionale” .

“Shqiptarët duan gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë ai, “ndërsa ne duhet të shfrytëzojmë ofertën e SHBA, meqë ajo nuk do të mbetet gjatë në tavolinë”, transmeton Koha. net.