Sipas aktakuzës, Telekomi humbi miliona euro për shkak të Qerimit, Gjonbalajt dhe Mustafës

E publikuar: 21/08/2018 14:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale të premten ka ngritur aktakuzë për kontratën e Telekomit me Z-Mobile, mosrespektimi i së cilës i ka sjellë dëm prej 32 milionë eurove në Gjykatën e Arbitrazhit. Në aktakuzën që ka siguruar Gazeta Express, e cila është ngritur nga prokurori Abdurrahim Islami, tre zyrtarët e lartë të Telekomit po akuzohen për keqpërdorim të detyrës dhe mosrespektim të kontratës me Z-Mobile
Ndaj tre ish-zyrtarëve të lartë të Telekomit të Kosovës, Prokuroria Speciale e ka ngritur një aktakuzë, sipas të cilës ish-shefi ekzekutiv gjatë viteve 2012-2014, Ejup Qerimi, ish-kryesuesi i bordit të drejtorëve, Rexhë Gjonbalaj, dhe ish-shefi ekzekutiv, Agron Mustafa, duke mos e zbatuar një kontratë me Z-Mobile, i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës një humbje të madhe në Gjykatën e Arbitrazhit.

Në këtë aktakuzë, disa pjesë të së cilës i ka Gazeta Express, Ejup Qerimi, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, pozitë që e ka mbajtur gjatë vitit 2012-2014, me mosveprim, gjatë ushtrimit të detyrës, duke mos përmbushur kontratën e vitit 2009, konkretisht duke pasur vonesa të shërbimëve 3G dhe 4G për kompaninë Dardafon.net (Z-Mobile), ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Agron Mustafa, në anën tjetër, akuzohet që duke dashur ta shpetojë Telekomin, vetëm sa e ka dëmtuar edhe më shumë, me një aneks kontratë të nënshkruar me Milot Gjikollin, në maj të vitit 2017, e ka dëmtuar Telekomin me 5.049.681 euro. Kjo marrëveshje supozohej ta ‘shpëtonte’ Telekomin pa i paguar 30 milionë eurot që u dënua nga Arbitrazhi.

Kurse Rexhë Gjonbalaj, gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim, duke mos i realizuar obligimet e kontratës me Z-Mobile.

Kontrata e Telekomit me Z-mobile është nënshkruar në vitin 2009 dhe konsiderohet të jetë një nga marrëveshjet që ka gjunjëzuar Telekomin, duke i sjellë shumë fitime Z-Mobilet si VMNO, në kurriz të kompanisë publike, si MNO.

Shkatërrimi final i Telekomit, dikur kompanisë më të madhe në vend, ishte dënimi që mori Telekomi në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit, për shkak të mosrespektimit të kësaj kontrate. Ky “lëshim” i pati kushtuar kompanisë publike 32 milionë euro.

Asnjëherë nuk është ditur se për faj të kujt, ose kush nuk respektoi kontratën me Z-Mobile, kompaninë e biznesmenit Blerim Devolli, i cili çoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit dhe atje Telekomi u dënua me 30 milionë euro.

Në aktakuzë thuhet se Prokuroria Speciale në mars të vitit të kaluar ka intervistuar Blerim Devollin, pronari i Dardafon.net, që njihet si Z-Mobile. Ai akuzonte Telekomin, përkatësisht dy ish-shefat e saj që nuk kishin respektuar kontratën.

Po sipas aktakuzës, Ejup Qerimi i ishte drejtuar Blerim Devollit me fjalët se “unë jam baba, ndërsa ti je djali dhe se në çdo mënyrë unë do të mundohem të ta prish kontratën.

Milot Gjikolli ka thënë se Ejup Qerimi nuk e ka përfilluar asnjë paralajmërim para se rastin ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Express thuhet se gjatë intervistimit të drejtorit të Z-Mobile, Milot Gjikolli, ky i fundit ka thënë se është injoruar nga Qerimi, i cili, sipas Gjikollit, ka refuzuar çfarëdo bashkëpunimi.

Prokuroria Speciale, më 30 maj 2017, ka nisur intervistimin në cilësinë e të dyshuarve të dy ish-shefave ekzekutivë, kryesuesin e bordit të drejtorëve dhe anëtërave të bordit të Telekomit.

Ndërsa, gjatë intervistimit të përgjegjesve të PTK-së, faji është hedhur prej bordit të Telekomit te menaxhmenti dhe anasjelltas.

“Me datë 01.06.2017 është intervistuar Kryesuesi i Bordit të drejtorëve të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj. I njëjti ka mohuar se bordi të ketë përgjegjësi lidhur me këtë cështje, por ka deklaruar se kjo është përgjegjësi e menaxhmentit dhe vlen të cekët se bordi i ka lejuar mjete me kërkesë të menaxhmentit për përfaqësim të kompanisë ligjore, studio “Ligji””, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, Qerimi ka deklaruar para Prokurorisë së vendimet strategjike janë ndërmarrë nga Bordi i Drejtorëve, ndërsa janë ekzekutuar nga shefi ekzekutiv me bordin.

“Gjatë kohës time, nga viti 2012-201, kontrata është zbatuar plotësisht me vërejtje”, ka thënë Qerimi.

Në aktakuzë thuhet se “pikërisht në kohën kur Ejup Qerimi ka qenë kryeshef, ka pasur mosrespektim të kontratës si: Vonesat në Liferim dhe Blloku i numeracionit”.

Agron Mustafa ka thënë gjatë intervistimit, se prej që kishte marrë postin e shefit ekzekutiv, ai kishte koordinim të plotë me bordin e drejtorëve, dhe së bashku kishin konstatuar se kërkesat e Z-Mobile ishin të pabazuara.

“Këto konkludime kanë qenë edhe më të besueshme duke marrë parasysh se kryesuesi i Bordit ka qenë i njëjti sikurse në kohën e miratimit dhe nënshkrimit të kontratës në vitin 2008-2009”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se ka provuar të bëjë marrëveshje, por zyrtarët e Z-Mobile nuk kanë pritur dhe e kanë dërguar lëndën në Arbitrazh.

Janë intervistuar edhe tetë anëtarët e bordit të drejtorëve, të cilët kanë thënë se nuk kanë qenë të informuar për rrjedhshmërinë e kontratës, mirëpo siç i ka informuar menaxhmenti i kompanisë, ato shërbime nuk i takonin Z-Mobile-t. /Express/