Simbolet e Xhakës dhe Shaqirit dhe mundësia e dënimit

E publikuar: 24/06/2018 01:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë në kuadër të Kampionatit Botëror ka nxitur kundërthënie të ndryshme lidhur me simbolet e futbollistëve shqiptarë që e përfaqësojnë Helvetikët.

Në fitoren prej 2-1, golashënues ishin pikërisht Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, që të dy shqiptarë nga Kosova, të cilët në festën e tyre bënë simbolin e shqiponjës me duar.

Festa e Granit Xhakës (Foto: Getty Images)

Për më shumë, në këpucët e Xherdanit, në njërën ndodhet flamuri i Zvicrës, kurse në tjetrën flamuri i Kosovës.

Federata serbe e futbollit ka kërkuar nga FIFA që dy lojtarët shqiptarë të dënohen për përdorimin e “flamujve të ndryshëm kundërthënës” në ndeshjen e të premtes mbrëma në Kaliningrad.

Në ndërkohë është raportuar se organizata më e madhe e futbollit në botë ka nisur një hetim në lidhje procedurat eventuale disiplinore kundrejt Xhakës dhe Shaqirit.

Këpucët e Xherdan Shaqirit (Foto: Getty Images)

Sipas Telegraph, duke qenë se edhe Shqipëria edhe Kosova janë anëtare të FIFA-s dhe flamujt e tyre shpalosen në ndeshje ndërkombëtare, vështirë mund të ndodhë që dy futbollistët të dënohen për thyerje të rregullave duke shfaqur simbole politike.

Megjithatë, Neni 54 i Kodit Disiplinor e konsideron të paligjshme atë që definohet si “provokim i publikut të përgjithshëm”, një vepër që dënohet me dy ndeshje moslojë. Në ditët në vijim pritet të shihet se cili do të jetë vendimi i FIFA-s për dy mesfushorët shqiptarë.

Festa e Xherdan Shaqirit (Foto: Getty Images)

Në lidhje me të njëjtën ndeshje, janë hapur procedurat disiplinore edhe kundër Federatës serbe “për turbullim të turmave dhe shfaqjen e mesazheve politike dhe fyese nga tifozët serbë”.

Për më tepër, është hapur një hetim paraprak kundër trajnerit Mladen Krstajic, për deklaratat e dyshuara të bëra pas ndeshjes së përmendur. /Telegrafi/