Siguria kibernetike e domosdoshme për zhvillimin e teknologjisë informative

E publikuar: 25/06/2015 17:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është obligim i institucioneve që të gjejnë një balancë të arsyeshëm në mes të përdorimit racional të internetit dhe gjetjes së formave më adekuate për tu siguruar që të mos ketë qasje të paautorizuar ashtu që të mos përdoret për qëllime të këqija, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente ministri Stavileci i bëri sot në punëtorinë “Siguria Kibernetike në Kosovë – Dialogu për Prioritetet Strategjike”, që u mbajt në Prishtinë, e ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Bankës Botërore-Prishtinë, ARKEP-it, fushës akademike dhe përfaqësues të kompanive që ofrojnë shërbime të IT dhe komunikimeve elektronike, me ç’rast u prezantua edhe Raporti –Kapaciteti i Sigurisë Kibernetike në Kosovë.

Stavileci nënvizoi se pa fushën e teknologjisë informative dhe komunikimeve elektronike sot nuk mund të paramendohet asnjë sektor i ekonomisë. Mirëpo, aq sa kjo fushë mund të sjellë efekte pozitive dhe dobi të shumta në të gjithë sektorët e ekonomisë, në anën tjetër bart me vete edhe disa rreziqe potenciale.

Rritja e sigurisë kibernetike sipas Stavilecit, është një tendencë globale dhe vendi ynë në kohën e duhur ka nisur projektin e raportit diagnostikues, i cili hap shtegun që ne të kemi një Strategji Kombëtare për Mbrojtjen Kibernetike, duke ditur se zhvillimi i këtij sektori përbën një prioritet të Qeverisë.

Nga ana e tij, Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Jan Peter Olters tha se varësia e rritur nga interneti, si burim i informatave dhe si një instrument menaxhues, krijon mundësi të pafundme por gjithashtu edhe bartë edhe rreziqe të reja.

Sipas tij, duke i kushtuar një vëmendje të vazhdueshme dhe të thelluar sigurisë kibernetike – familjet, kompanitë dhe qeveria mund të përfitojnë nga qasja në informata, fuqizimi i menaxhimit dhe mbikëqyrjes, tregtisë në zhvillim, dhe komunikimit në përmirësim duke qenë të mbrojtur deri në një masë nga krimet kibernetike dhe rrjedhjet e sigurisë kibernetike.

Michael Goldsmith UD i Drejtorit të Qendrës Globale të Kapaciteteve për Siguri Publike (GCSCC) ka vlerësuar interesimin e institucioneve të Kosovës që në bashkëpunim me partnerët t’i japin një rëndësi të veçantë rritjes së sigurisë kibernetike si diçka fondamentale në zhvillimin e IT dhe shërbimeve elektronike.

Më pas Lara Pace, Menaxhere e Këmbimit të Njohurive GCSCC ka prezantuar Raportin –Kapaciteti i Sigurisë Kibernetike në Kosovë, i cili përmbante pesë dimensione.

Ndryshe, Banka Botërore përmes GCSCC është duke ndihmuar Kosovën për të forcuar sigurinë kibernetike përmes pilot projektit për vlerësimin e ndërtimit të kapaciteteve që synon identifikimin e zbrazëtirave kibernetike në vend.