Sibel Halimi emërohet zëdhënëse e LDK-së

E publikuar: 23/04/2021 12:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka emëruar zëdhënëse politike, Sibel Halimin.

LDK thotë se emërimi i Halimit është bërë me qëllim të thellimit dhe avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit me medie.

“Me qëllim të thellimit dhe avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit me mediet, në shërbim të transparencës dhe informimit të drejtë të publikut, si dhe prezantimit të qëndrimeve politike, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar znj. Sibel Halimi, Zëdhënëse Politike të LDK-së. Sibeli përveç se është anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, është edhe sociologe e poete. Ajo është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Tutje, LDK ka treguar edhe për disa aktivitete të Sibel Halimit.

“Deri tash ka të botuar tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017). Merret aktivisht me trajtimin e problemeve socio-filozofike, ndërkohë që shkrimet e saj janë botuar në periodikun shqip e të huaj. Njihet si veprimtare e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e grave dhe vajzave”.

Tutje, në komunikatë thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës pret dhe fton për një bashkëpunim të nevojshëm me mediat dhe me publikun”.