Si u përplasën Grenell dhe Vuçiq në Beograd për taksën dhe fushatën për çnjohje

E publikuar: 24/01/2020 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka vizituar Prishtinën dhe Beogardin, me qëllim të zhbllokimit të situatës dhe rikthimit të palëve në tryezën e dialogut.

Njëjtë sikurse në Prishtinë, Grenell edhe para syve të Vuçiqit në Beograd ka thënë se Serbia duhet të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkohë ka thënë se Prishtina zyrtare duhet të heq taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Dje në Prishtinë e kam bërë shumë të qartë me çdo kënd që jam takuar se tarifa duhet të hiqet. Është e papranueshme. Unë gjithashtu kam sjellë këtu të njëjtën kërkesë, që kampanja e çnjohjeve duhet të ndalet”, ka thënë Grenell, raporton Gazeta Express.

Megjithatë ndaj një kërkese të tillë të SHBA’së, njëjtë sikurse Daçiq ka reaguar në konferencën e përbashkët për media edhe kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq, duke e cilësuar si një kërkesë të papranueshme.

Sipas Vuçiqit nuk mund të barazohet heqja e taksës me ndaljen e fusahtës për çnjohjet.

“Unë nuk e pranoj ekuacionin për heqjen e taksës dhe ndaljen e fushatës për çnjohje”, ka thënë Vuçiq, duke përsëritur faktin se Serbia ka qëndrim shumë të ndryshëm ndaj Kosovës krahasuar me SHBA-në.

Kreu i shtetit serb thotë se fushata për çnjohje është një detyrë kombëtare e Serbisë. Vuçiq thotë se nuk mund të barazohet problemi i taksës me fushatën për çnjohje, pasi sipas tij Kosova e ka vendosur taksën pa kurrfarë arsye.

“Ne kemi një qëndrim kombëtar sa i përket pavarësisë së Kosovës, i cili është i ndryshëm nga ai i SHBA-së. Ata duhen sa më shumë njohje që është e mundur, ne nuk duam dhe është puna jonë të bëjmë diçka të tillë. Për mua nuk është e njëjta, sepse taksa është vendosur pa asnjë arsye”, ka thënë kreu i Serbisë.

Megjithatë Richard Grenell është treguar i qartë dhe ka thënë se nëse Serbia dhe Kosova nuk do të lëvizin nga pozicionet e tyre drejt marrëveshjes finale atëherë SHBA’ja do të tërhiqet, ndërkohë vetë Grenell ka thënë se do të merret me ndonjë punë tjetër.

Richard Grenell ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin pas arritjes së marrëveshjes për hapësirën ajrore në mes të Serbisë deh Kosovës që do të mundësojë fluturime në linjën Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas disa herë në javë, ndërkohë të hënën në Berlin, Grenell do të pret ekspertë të hekurudhave nga dy shtetet, drejt arritjes së një marrëveshje të radhës për hapjen e një linje hekurudhore Prishtinë-Beograd.