Si u dashurova në profen tim, unë vajza e hasretit?

E publikuar: 09/04/2017 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jam vajzë hasreti, shumë e përkëdhelur nga familja ime. Nuk ma prishnin për asgjë. Në shkollë kurrë s’kam qenë e mirë, por tash them budallaqe isha që nuk mësoja. Në universitetin privat ku studioja më shumë rrija në kafe sesa në mësim. Dhe, një ditë, teksa pija kafe, takova mashkullin më simpatik që kanë parë ndonjëherë sytë e mi, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, Dafina, nga Prishtina.

Ai ishte shtatlartë dhe i bukur. Era e parfumit të tij më magjepsi. Ai ishte profesori im. Nga shoqet e mia mësova se ishte i martuar po me profesoreshë, por që punonte në një universitet tjetër. Kur mësova emrin e saj, shpejt e shpejt hapa telefonin, hyra në profilin e saj dhe doli foto e saj: një bionde simpatike, sykaltër, ndryshe nga unë që jam zeshkane. Dhe, në ato çaste aq e fiksuar isha sa mendoja se do bëhem bionde si ajo. Nga ajo ditë fillova të vishesha si ajo me klas, sepse deri atëherë vishesha si vajzë rrugaçe, pothuajse krejt pa shije… Dhe, po nga ajo ditë unë isha e dhënë shumë pas saj: isha një e burgosur e atij pasioni… Unë u dhashë shumë më shumë pas saj, edhe pse ende nuk e kisha parë, sesa pas profës sim… Ndërkohë, që ta largoja mendjen nga profa dhe gruaja e tij, që më tërhiqte shumë, vendosa të krijoj një lidhje dashurie me një nga shokët e mi të studimeve, e i cili kishte kohë që më vardisej. Dashuria me të zgjati nja gjashtë muaj, por e ndërpremë, sepse mendja nuk më hiqej dot as nga profa e as nga gruaja e tij…

Dhe, meqë e dija se profa nuk do të bëhej kurrë imi, vendosa ta ndërroj fakultetin. Këtë herë kalova me studime në Tetovë, në universitetin shtetëror të këtij qyteti.

Por, një ditë, teksa pija kafe në restorantin “N’kat” në Tetovë, e që ndodhet afër universitetit, zemra ime ndali, shikimet u ndeshen dhe më buzëqeshi dhe e përshëndeta. Ishte profa nga Prishtina… Të nesërmen bëra atë që mendoja ta bëja gjithmonë, por s’kisha guxim, i shkrova një sms, sepse numrin e telefonit të tij e mora nga një shoqe imja, studente e tij. I dërgova ftesë, ma pranoi, por nuk më foli, më bëri “like”… Kur më shkroi më tha se mund të takoheshim. Dhe, ashtu ndodhi… U takuam në një vend ku s’kishte njerëz të tjerë… U puthëm, por nuk bëmë gjë më shumë… Më tha se këtë po e bënë për mua, meqë e dinte se që moti e dashuroja. Më tha se nuk do shkoj tutje më thellë, sepse e do gruan e vet dhe nuk dëshiron të më lëndoj as mua… E falënderova për atë takim, për atë puthje, të cilën sa herë e kujtoj më dridhet trupi…/Dafina /“Kosovarja”/