Si ta kuptoni se jeni të sëmurë me hipertension

E publikuar: 14/07/2018 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në të shumtën e rasteve kjo sëmundje shkaktohet nga një tjetër, sidomos nga problemet ne veshka. Ja si duhet te veproni për ta luftuar “epideminë” e këtij shekulli.

Hipertensioni dhe diabeti po kthehen në dy epidemi të mëdha. Shpesh hipertensioni vjen për shkak të sëmundjeve te tjera, ndërsa në raste të tjera është i trashëgueshëm.

Nga 100 raste me hipertension, 80 vetave nuk u dihet shkaku”, ndërsa 20 rastet e tjera vuajnë nga hipertensioni i trashëgueshëm, transmeton Telegrafi.

Simptomat e një të sëmuri me hipertension:

– Dhimbje koke, sidomos në mëngjes
– Veshët të gumëzhijnë
– Marrje mendsh vazhdimisht
– Ndonjëherë të del gjak nga hundët
– Depresion, pa e ditur shkakun e vërtetë
– Personi nxehet pothuajse kot së koti
– Të sëmurit i skuqet fytyra
– Shpesh ka gjendje të fikti

Nga se shkaktohet

Disa nga shkaqet kryesore që shkakton këtë sëmundje “epidemike”, është ndonjë defekt në veshka, tumori adrenal, ngushtimi i aortës e të tjera. Në këto raste hipertensioni quhet dytësor, sepse vjen si pasojë e një sëmundjeje tjetër. Ndodh që, kur sëmundja tjetër që shkakton hipertensionin zhduket, edhe hipertensioni zakonisht zhduket bashkë me të.

Tipi tjetër i hipertensionit quhet primar. Ky lloj hipertensioni prek pjesën dërmuese të të sëmurëve me hipertension. Shkaktari i tij ende nuk njihet. Por besohet se është rezultat i shumë faktorëve si: trashëgimia, mbipesha, mënyra e të ushqyerit, mungesa e aktivitetit fizik etj.

Shenjat

Mësohet se hipertensioni quhet ndryshe edhe “vrasës i fshehtë, sepse shpesh mbetet i padiagnostikuar. Ka njerëz që as e kanë marrë vesh ndonjëherë se kanë pasur hipertension. Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo ndodh gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe jo brenda pak ditësh. Pikërisht për këtë është e vështirë që të kuptohet nga vetë personi që në fillim.

Megjithatë, ka disa simptoma të hershme që mund t´i kujtohen çdo personi me hipertension: Dhimbje koke, sidomos në mëngjes, gumëzhim veshësh, marrje mendsh, depresion pa e ditur shkakun, personi nxehet pothuajse kot, i skuqet fytyra dhe shpesh ka gjendje të fikti.

Kur trashëgohet

Sipas studimeve, trashëgimia ndikon në një farë mase në çdo aspekt të shëndetit tonë. Që nga personaliteti dhe sjellja, deri te mundësia për të pasur kancer. Po me hipertensionin, çfarë ndikimi ka trashëgimia? Deri 10 vjet më parë mendohej se hipertensioni ishte një karakteristikë e trashëguar e njeriut.

Ndërsa tani që shkenca ka evoluar, ka dalë përfundimi se në pjesën dërmuese të rasteve hipertensioni vjen si pasojë e ndonjë sëmundjeje tjetër, pra është dytësor. Përbërësi që shkakton më shumë problem në rastin e kësaj sëmundjeje është kripa. Veshkat prodhojnë një enzimë të veçantë të quajtur renin.

Veshkat e këtyre individëve në fakt prodhojnë renin me tepricë, gjë që shkakton tkurrjen e arteriolave dhe në të njëjtën kohë detyron veshkat të mbledhin kripë. Tkurrja e arteriolave dhe rritja e nivelit të kripës në veshka, të dyja këto dukuri shkaktojnë rritje të tensionit të gjakut.

Ç´duhet të bëjmë për të luftuar hipertensionin

Duke qenë se shpesh të prekurit nga hipertensioni nuk e dinë një gjë të tillë, duhet të ndiqen disa hapa për ta zbuluar atë. Kështu, fillimisht duhet të bëjnë një “eko” të zemrës, duhet bërë një kontroll për enët e gjakut në sy, si dhe një analizë urine.

Preparatet e para mjekësore kundër hipertensionit janë diuretikët, të cilët shkaktojnë eliminim lëngjesh nga organizmi. Eliminimi i tyre sjell eliminim të kripës. Kjo metodë zakonisht e ul tensionin e lartë. Por ka një problem jo të vogël në këtë mes. Bashkë me kripën, diuretiket eliminojnë edhe kaliumin.

Prandaj doktorët që japin diuretikë, japin edhe tableta kaliumi. Gjithashtu, personi që merr këto duhet të pijë shumë ujë. Minimumi për sodën (kripën) është 200-250 miligramë, ndërsa për kaliumin është 1000 miligramë.

Rregulli bazë në mënyrën e të ngrënit është që, çfarëdo që të hamë, duhet të zgjedhim ushqime me sa më shumë kalium dhe me sa më pak kripë.

Ushqimet natyrale, sidomos zarzavatet, kanë një përmbajtje të lartë kaliumi dhe të ulët në natrium. Ndërsa ushqimet e përgatitura nga njeriu (konserva, sallama, djathëra etj) kanë përmbajtje të ulët kaliumi dhe përmbajtje të lartë natriumi.

Edhe mbipesha ndikon negativisht në rritjen e tensionit të gjakut. Por fakti është se pas përpjekjeve për të rënë në peshë, tensioni bie shumë më shpejt se rënia e vetë peshës.

Pra, nuk është një lidhje e thjeshtë se, meqë kur je shumë i shëndoshë dhe zemra jote punon me sforcë, ke tension të lartë. Ky është vetëm njëri faktor. Por ka edhe një faktor tjetër të rëndësishëm, i cili mendohet të jetë insulina.

Të ngrënit

Masat qe duhet te merrni

* Hani patjetër zarzavate për drekë dhe për darkë. Kjo përfshin sallatat, drithërat (oriz, misër etj.), patate, fasule, bishtaja, bamje, patëllxhanë, speca, etj.
* Nëse në mëngjes hani përshesh me qumësht, buka duhet të mos ketë kripë.

Mos hani konserva mishi, peshku, sallama dhe çdo gjë tjetër që vjen e paketuar nga fabrika si ushqim i gatshëm.

Si mund të luftojmë hipertension me aktivitet fizik

Po të vraposh 30 minuta në ditë pa pushim, i plotëson më së miri kushtet e aktivitetit të duhur sportiv. Sipas specialistëve, stërvitja e rregullt dhe serioze ndihmon në uljen e tensionit të gjakut.

Gjatë stërvitjes trupi prodhon nxehtësi prej metabolizmit. Kjo nxehtësi duhet që të shkarkohet diku dhe normalisht kalon nga lëkura në ajër. Kjo arrihet nëpërmjet rritjes së qarkullimit të gjakut në sistemin periferik dhe me anë të avullimit te djersës.

Gjithashtu, gjatë stërvitjes, tensioni i gjakut rritet, sepse zemrës i duhet të pompojë me më shpejtësi për të shpejtuar qarkullimin e gjakut. Kjo, me qëllim që të ushqejë muskujt dhe për të shpërndarë nxehtësinë e tepërt. Por, pasi stërvitja ka mbaruar, muskujt e çlodhur dhe kapilarët e zgjeruar lejojnë gjakun të qarkullojë më lirisht, prandaj edhe tensioni i gjakut bie.

Një faktor tjetër është edhe insulina. Nuk ka më asnjë dyshim që, një person që merret me stërvitje, trupi i tij e përdor insulinën më me tepër efektivitet. Kjo përfshin edhe diabetikët e të dy tipave, por edhe çdo njeri tjetër që nuk ka diabet apo hipertension.

Stërvitja ndihmon në uljen e nivelit të insulinës në gjak (sepse nuk ka nevojë për insulinë të tepruar, se ajo që është e bën punën njësoj). Sasi më e ulët insulinë në mënyrë indirekte, ul tensionin e gjakut, për shkak se kjo ndikon tek veshkat që të thithin më pak natrium në organizëm. /Telegrafi/