Si jepet injeksioni nën lëkurë (subkutun)

E publikuar: 19/11/2017 20:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të përgatitjes psikofizike është e domosdoshme t’i tregohet pacientit rëndësia e dhënies së injeksionit, të informohet që do të ndiejë dhembje me rastin e injektimit të ilaçit dhe ta lusin pacientin për bashkëpunim.

Afrora Fusha
Infermiere e përgjithshme

Gjithashtu duhet të paralajmërohet që në rast të shfaqjes së çfarëdo qoftë ndryshimi menjëherë ta informojë infermieren.

Vendet më të shpeshta për dhënie të injeksioneve nën lëkurë janë anët e jashtme të parallërës (humerusit), ana e përparme e kofshës, indit shkrifës të abdomenit të poshtëm, pjesa e sipërme e kërdhokullave, pjesa glueteale dhe pjesa e sipërme e shpinës.

Injektimi i ilaçit në mënyrë nënlëkurore është i ndaluar në pjesët e dëmtuara lëkurës, në lytha, vragë.

Të vendoset pacienti në pozitë të rehatshme, adekuate, të lirohen nga rrobat zonat e injektimit.

Të lahen duart, të vihen dorezat për një përdorim.

Në karroca lëvizëse është e nevojshme të përgatiten: ilaçi i ordinuar, injektueset për një përdorim të cilat duhet të jenë në paketim origjinal, të verifikohet a është paketimi origjinal dhe i padëmtuar në të cilin janë vendosur injektuesi, gjilpërat, tupferet e pambukut, mjetet për dezinfektim të lëkurës, terapia urgjente, dorezat.

Infermierja/infermieri:

▪ E informon mjekun në rast të shfaqjes së ndonjë komplikimi;
▪ Përcakton identitetin e pacientit;
▪ Bën përgatitje psikofizike të pacientit;
▪ Verifikon kërkesat e mjekut;
▪ Lan duart, vë dorezat;
▪ Përgatit ilaçin e ordinuar;
▪ Vendos pacientin në pozitën adekuate;
▪ E liron nga rrobat dhe ia dezinfekton zonën në të cilën bëhet injektimi;
▪ Plason gjilpërën ngadalë nën lëkurë,aspiron përmbajtjen;
▪ Nëse nuk ka gjak, aplikon lehtë ilaçin;
▪ Pas injektimit të ilaçit, gjilpërën butësisht e nxjerr, vendin e aplikimit e mbulon me tupferë pambuku;
▪ I bën masazh të butë vendit të aplikimit;
▪ Vëzhgon reagimin e pacientit;
▪ Largon materialin e përdorur;
▪ Largon tupferin dhe verifikon vendin e injektimit;
▪ Vëzhgon pacientin rreth 30 minuta për shkak të reaksionit më vonë të mundshëm alergjik;
▪ Nëse shfaqet hematoma, i vë kompresa të njoma;
▪ Pas përfundimit të procedurës patjetër i lan duart;
▪ Përshkruan realizimin e aktivitetit të bërë.

Me injeksionin nën lëkurë –jepen ilaçet në shtresën yndyrore midis lëkurës dhe muskujve. Ai tip i dhënies mund të bëhet pavarësisht nga pacienti apo mjeku.

Disa ilaçe mund të aplikohen në atë mënyrë, sepse efekti i tyre është i vogël.

Gjilpëra nënlëkurore është shumë e hollë dhe e shkurtër, prandaj dhembja, zakonisht është minimale. Dhembja mund të shfaqet më vonë, pas injeksionit.

Drejtohuni mjekut tuaj në këto raste:

• Anët e injektuara rrjedhin gjak;
• Pas injektimit ka dhembje të madhe;
• Injektimin e keni bërë në zonë të gabuar;
• Sukrep rreth vendit të injektimit;
• Zhvillon ethet apo shenja të reagimit alergjik.

/Telegrafi/