Si iu nënshtrua Edi Rama Kryeministrit të Serbisë për Autostradën “Nish –Durrës”

E publikuar: 25/08/2016 18:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas miratimit të rezolutës së OKB’së, në vitin 2010, Bashkimi Europian kishte nisur ndërmjetësimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të duhej te rezultonte me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Procesi i nisur nën mbikëqyrjen e Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton po jepte rezultate me vështirësi.Në një nga takimet Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Thaçi dhe Dacic ishin dakorduar që të ndërtonin një autostradë që do të lidhte Kosovën me Serbinë. Por, tani kjo marrëveshje është shkelur për të përfunduar si autostradë Nish –Durrës – me firmat e Ramës dhe Vucicit.

Bashkimi Europian e kishte trumpetuar si një nga sukseset më të mëdha ndërmjetësimin e bisedimeve Prishtinë –Beograd (emërtohej kështu për të mos e hidhëruar Beogradin dhe për të mos e paragjykuar statusin e Kosovës), të cilit i printe Kryediplomatja e BE’së Baronesha Catherine Ashton. Marrëveshjet në Bruksel, ku Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë shiheshin cdo herë e më shumë, po prodhonte pak rezultate dhe shumë akuza të ndërsjella për mosrespektim të marrëveshjeve të arritura. Kështu, në një nga raundet e bisedimeve, Thaçi dhe Dacic, në nëntor të vitit 2012, ia kishin dalë të dakordoheshin që të merreshin vesh për ndërtimin e një autostrade që lidh Kosovën me Serbinë.

“Dy palët janë marrë vesh që të ndërtojë një grup të përbashkët teknik që të përgatisin një studim fizibiliteti për autostradën Nish –Prishtinë. Ne jemi pajtuar që të takohemi përsëri” thuhej në njoftimin e BE’së.

Për marrëveshjen, si duket një vizion tjetër kishin në Tiranë dhe Beograd. Në atë që njihet si Procesi i Berlinit, Merkel i kishte ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor, që të conin projekte zhvillimore. Si vazhdimësi e procesit të Berlinit, një takim i këtij lloji ishte mbajtur në Vjenë ku ishte premtuar mbështetje për autostradën për të cilën tashmë ishin dakorduar Vucic dhe Rama në Tiranë, tashmë me një emërtim tjetër Nish –Durrës. Është e çuditshme se si Rama është përfshirë në një aventurë të tillë që lë anash Kosovën, e sheh atë si pjesë të Serbisë, injoron autostradën ekzistuese “Ibrahim Rugova” dhe përpjekjet për paqe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.