Si e vranë Telekomin Agron Mustafa me Blerim Devollin, në emër të shpëtimit të tij

E publikuar: 08/05/2018 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në pranverën e vitit të kaluar në një përformancë publike Agron Mustafa me Devollët aktruan sikur po shpëtonin Telekomin. Gazeta Express ka siguruar një kontratë që e kanë nënshkruar Agron Mustafa në emër të Telekomit dhe Milot Gjikolli në emër të Z-Mobile. Kjo kontratë përmban fundin e Telekomit.

Në maj të vitit të kaluar, disa muaj pasi Gjykata e Arbitrazhit vendosi që ta dënonte Telekomin me 32 milionë euro për mosrespektim të marrëveshjes me Z-Mobilen, në skenë dolën ish-shefi i Telekomit, Agron Mustafa, bashkë me menaxhmentin e Z-Mobile për të treguar se e kishin arritur një kompromis komercial, falë zemërgjerësisë dhe bujarisë së Blerim Devollit.

Blerim Devolli, u tha në atë kohë, kishte vendosur që shpëtonte Telekomin e Kosovës nga bankrotimi. Bashkëshpetimtar në këtë betejë heroike kishte qenë edhe Agron Mustafa.

Mirëpo, ajo çfarë ishte paketuar të dukej si një aksion vetëmohues i shpëtimit nga një vdekje financiare nuk kishte qenë asgjë më shumë se sa vazhdim i torturës për të zhvatur edhe pak më shumë Telekomin e Kosovës, duke e çuar në një vdekje të mëvonshme.

Qëllimi përformancës Mustafa – Devolli kishte qënë i pastër: Të mos portretizoheshin Devollet si monstrumë që rrënuan komplet një kompani publike me 3500 mijë punëtorë, nga ana tjetër do të zhvatnin edhe më tutje Telekomin, duke shumëfishuar përfitimet.

Mustafa e Devollët me një paraqitje disa minutëshe treguan se si kishin vendosur që të bënin një kompromis në mënyrë që Telekomi t’i shmangej pagesës së 24 milionë eurove sepse 8 milionë tashmë i janë paguar. Nuk dhanë detaje se mbi cfarë u morën vesh.

“Ne sot kemi arritur një marrëveshje e cila shpëton nga falimentimi PTK-në. Telekomi i Kosovës mbetet i paprekur nga kjo padi, falë bisedimeve mes meje dhe Blerim Devollit dhe menaxhmentit të PTK-së dhe Z-Mobile”, thoshte Mustafa, duke i paraqitur Devollët si shpëtimtarë të Telekomit.

Menaxhmenti i Z-Mobile thoshte se këtë po e bënte për qëllime fisnike, për të mos dëmtuar Telekomin, e nuk u tregua se çfarë duhej të jepej në këmbim të kësaj mirësie. Marrëveshja e dytë, po aq kriminale sa e para, u mbajt krejtësisht e fshehur.

“Z-Mobile është një kompani që kontribuon në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare,  e assesi të shuaj vendet e punës, të dëmtojë një kompani e aq më pak Telekomin”, kishte thënë Milot Gjikolli gjatë ditës së paraqitjes publike me Mustafën rreth kontates.

Gazeta Express ka siguruar marrëveshjen e dytë që është bërë mes palëve, e që në fakt, sipas ekspertëve, del të jetë kontrata më absurde në të cilën një kompani do të mund të hidhte nënshkrimin e vet, posacërisht kur kihet parasysh se vetëm disa muaj më parë ishte thënë që po shpëtohej Telekomi nga falimentimi.

Nga kjo kontratë, kjo e dyta, kjo e Agronit, më shumë se sa shpëtimin e Telekomit ka bërë që Z-Mobile’it t’i hapet një perspektivë e re ekonomike për të përfituar edhe më shumë se sa kishte përfituar. Ajo i jep kuptim kolapsit në të cilën gjendet tash kompania publike me rreth tre mijë punëtorë, që rrezikon të falimentojë. Sipas të njëjtës kontratë kompania e Devollëve, si MVNO, ka plotësisht në duar fatin e Telekomit, si MNO.

Duke mos pasur mundësi që të paguheshin 32 milionë euro Z-Mobile dhe Telekomi krijuan një marrëveshje “mirëkuptimi”, që Z-Mobile’it i ka lënë duart e lira për cdo gjë, deri në vitin 2023. Madje, në mënyrë tinzare, në këtë kontratën e re Z-Mobile’it i është zgjatur kontrata, e cila duhej të skandonte në vitin 2019.

Por çfarë përmban kontrata e re?

Nëse e themi me një fjalë: Çdo gjë të keqe për Telekomin e Kosovës, dhe çdo gjë të mirë për Z-Mobile’in.

Kontrata e re, kjo në mes të Mustafës dhe përfaqësuesit të Devollëve, Milot Gjikolli, ka paraparë që si nisje Telekomi t’i alokojë për Z-Mobile 80 mijë deri në 90 mijë numra të ri.

Tutje, Telekomi është i detyruar t’i paguaj 4.5 milionë euro Z-Mobile për shpenzime në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Telekomi i paguan Dardafonit shumën totale 4,500,00.00 EUR në emër të kompensimit të shpenzimeve të procedurave juridike zhvilluar pranë Tribunalit të Arbitrazhit sipas rregullave të ICC”.

Nëse tërheqim një paralele, Kosova ka fituar rastin me kopmaninë AXOS në Gjykatën e Arbitrazhit, ndërsa i janë paguar 1.8 milionë euro për shpenzime të procedurave juridike, ani pse rasti ka qenë shumë më i ndërlikuar se ai i Z-Mobile me Telekomin.

Sipas marrëveshjes së parë, asaj të hershmës të vitit 2009, PTK kishte arritur marrëveshje me Z-Mobile, që për shërbimet që kjo e kryen do t’i merr 73 për qind të të hyrave, kurse PTK 27 për qind. Një ndarje e tillë e të hyrave ishte ishte konsideruar kriminale, e pashembulltë, që në fillim të nënshkrimit të saj. Nuk ka asnjë rast në botë që MVNO merr më shumë të hyra se sa kompania amë, duke mos pasur investuar në infrastrukturë.

Tash, në emër të shpëtimit, palët janë marrë vesh që Telekomi i Kosovës, deri në vitin 2023 të mos e marrë asnjë cent prej të hyrave që i realizon Z-Mobile. Për më tepër i detyrohet që t’i jep edhe më shumë numra e edhe më shumë akces në 3G dhe 4G.

Gazeta Express ka mësuar se Z-Mobile, ndonëse ka në shfrytëzim vetëm rreth 15 për qind të numrave të përgjithshëm të Valës, aktualisht është duke i shfrytëzuar 50 për qind të kapaciteteve infrastrukturës teknike.

Në këmbim të gjithë këtyre të mirave, Z-Mobile, sipas kontratës zotohet të mos i kërkojë edhe 24 milionë eurot që i takojnë sipas vendimit të Arbitrazhit.

Marrë parasysh se kontrata është nënshkruar në periudhën kur Telekomi ka qenë pa bord, atëherë marrëveshja parasheh që kompania publike të ketë të drejtë të tërheqjes gjashtë muaj pasi të emërohet bordi i ri. Në momentin e tërheqjes, hyn sërish në fuqi detyrimi që ka Telekomi ndaj Z-Mobile, pra pagesa e 24 milionë eurove, shumë kjo e papërballueshme për t’u paguar.

Gazeta Express ka provouar që ta kontaktojë sot Mustafën për ta pyetur rreth kësaj kontrate mirëpo Mustafa ka thënë se gjendet jashtë vendit dhe se ka angazhime që ia pamundësojnë përgjigjen. /Express/