Si e vlerëson opozita deklarimin e Mustafës për FSK-në

E publikuar: 29/08/2015 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, si duket është dorëzuar para partnerit të tij të koalicionit, Lista Srpska, përkitazi mundësisë së krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në një postim të tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se: “Në rast të mungesës së mirëkuptimit për amendamente Kushtetuese, të cilat e transformojnë FSK-në në FAK, Qeveria do të procedojë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për FSK-në, me të cilin FSK-ja do t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që ishin të parapara për FAK-un. Ndërkaq, do ta ndryshojmë emrin e Ministrisë së FSK-së”, ka shtuar Mustafa, raporton KTV.

Por, këto pohime të kryeministrit, nuk e kanë habitur Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që sipas këtij subjekti, Mustafa e Thaçi kanë hequr dorë prej kohësh nga formimi i FAK-ut.

Sipas Rexhep Selimit, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, nuk mund të bëhet pa ndryshime substanciale të Kushtetutës së vendit.

Kurse për NISMA-n, ky është edhe një tjetër demant që Serbia nuk e ka njohur Kosovën. Bilall Sherifi deklaroi se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj dhe se kjo nuk mund të mbetet peng i një subjekti politik që i ndjek direktivat e Beogradit, transmeton Koha.net.

Pamundësia e Kuvendit për ta ndryshuar Kushtetutën pa 2/3 e minoriteteve, mund ta zvarrisë edhe për shumë kohë procesin e formimit të FAK-ut, aq më tepër që tani pjesë e koalicionit qeveritar me PDK-në dhe LDK-në, është edhe Lista Serbe.