Si e çmendi Serbinë një shami myslimane

E publikuar: 26/11/2015 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vënia e hixhabit në kokë, nga kryetarja e parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviq, gjatë qëndrimit në Teheran, ditë më parë, ka nxitur një reagim të paparë në Beograd.

Gjesti i saj u vlerësua si i tepruar, pasi ajo, sipas analistëve dhe medieve serbe, injoroi çdo traditë të shtetit e popullit të saj, duke dashur të respektojë vlerat e vendit nikoqir, Iranit.

Gojkoviq vendosi një shami të zezë në kokë, duke mbuluar çdo pjesë të saj, me përjashtim të fytyrës, sikur që bëjnë disa, por jo shumica e femrave në shtetet më islamike të botës.

“E veshur në mënyrë më ekstreme se edhe vetë femrat në botën islamike, Maja Gojkoviq e teproi aq shumë sa e bëri të pakuptimtë edhe tentimin e saj për të respektuar nikoqirët në Teheran”, ka shkruar gazeta Blic, transmeton Klan Kosova. “Në këtë mënyrë ajo ia arriti të bëjë dicka që nuk e kishte bërë asnjë funksionere e botës perëndimore – që të mos e respektojë fare traditën e vetë, dhe me këtë të lëndojë një numër të madh të femrave në Iran të cilat luftojnë për barazi”.

Ish-ambasadori serb, Ninoslav Stojadinoviq ka thënë se protokoli i parlamentit dhe ambasada në Teheran ka qenë dashur të kenë kujdes dhe t’ia tërheqin vërejtjen Gojkoviqit.

“Sikur në atë shprehjen ‘më katolik se papa’, kryetarja serbe e parlamentit u shfaq më e rreptë se shumë myslimane”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.

E ish-ambasadori në Libi e Egjipt, Dushan Simeonoviq ka vlerësuar se Gojkoviq e teproi.

“Ajo ka mundur të nderojë zakonet myslimane duke mbuluar pak kokën, me një shami ose shall, sikur që bëjnë politikanet tjera të Evropës”, ka thënë ai.

Disa medie kanë shkuar edhe më larg, duke pyetur nëse Gojkoviq do të veshej sipas traditave të Perusë, Havajit, Zimbambvesë dhe disa shteteve tjera, sikur të vizitonte edhe këto vende, ku femrat janë gati gjysmëlakuriqe.