Shtyrja e sigurimeve shëndetësore po konsiderohet tallje e Qeverisë me qytetarët

E publikuar: 30/06/2017 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) ka reaguar ndaj vendimit të sotshëm të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e grumbullimit të premiumeve për sigurimet shëndetësore, duke e konsideruar papërgjegjësi totale dhe tallje të hapur të Qeverisë me qytetarët e vendit.

Në vazhdim teksti i plotë i reagimit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet:

Edhe qeverisja në ikje dështon në realizimin e sigurimeve shëndetësore publike për qytetarët e Kosovës. Kur në dhjetorin e vitit të kaluar ishte njoftuar dështimi dhe shtyrja e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore për 1 korrik të këtij viti, nuk kishin munguar justifikimet boshe dhe premtimet po të atilla për gjoja raportet mujore para kryeministrit, për ecurinë e procesit e për fushata informimi për qytetarët dhe bizneset.

Ministria e Shëndetësisë dhe ministri në ikje në asnjë rrethanë nuk ka informuar për qoftë edhe një hap të ndërmarrë, sa i përket çështjeve bazë të parapara me Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, të miratuar në prill të 2014-tës, siç janë lista e shërbimeve themelore, lista e barnave, arritja e marrëveshjeve me farmacitë, krijim i sistemit elektronik të të dhënave, pajisja prej më së paku 75% të të siguruarve me kartela sigurimi para fillimit të mbledhjes së premiumeve etj.

Justifikimet e prezantuara sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë janë papërgjegjësi totale dhe tallje e hapur me qytetarët e vendit.

Për më tepër, funksionalizimi i Fondit për Sigurimet Shëndetësore dhe Sigurimet Shëndetësore vazhdojnë të jenë të pranishme në programet zgjedhore të të gjitha partive parlamentare dhe politikat pasuese qeverisëse, por asnjëherë i shoqëruar me një debat cilësor e përmbajtjesor, me vullnet për realizimin e detyrimeve e përgjegjësive të marra, e aq më pak në ndëshkim dhe konsekuenca ligjore e politike për dështimet që prekin gjithë shoqërinë.