Shtrëngimi i dhëmbëve dhe ushtimat ose zhurmat në veshë

E publikuar: 14/07/2018 05:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kjo dukuri mund të shkaktojë dëme aq të mëdha për ju saqë as që i keni pararendur ndonjëherë. Përveç që dhëmbët abradohen (harxhohen) ato preken nga erozioni (gërryeja) që çon deri tek dëmtimi i shtresës mbrojtëse të dhëmbëve (zmalti) dhe më këtë rast aty rritet ndjeshmëria dhe rrezikohet më tepër nga sëmundjet e dhëmbit, si kariesi, ndezja e indeve të dhëmbit që mund të ju çoj në nevojën e terapisë së shërimit të rrënjës me kanale apo edhe më keq kur dhëmbët zvogëlohen, bëhen të hollë dhe të dobët, shumë shpejtë mund të vije të thyerja apo dhe humbja e plotë e tyre.

Si pasojë e bruksizmit, mund të ndryshojë edhe forma e kafshimit e cila është shumë e rëndësishme në procesin e të ushqyerit. Përveç që dëmtohen dhëmbët, dëmtohet edhe aparati mbështetës i dhëmbit që janë kocka, rrënja e dhëmbit, gingiva apo mishrat e dhëmbëve dhe fijet parodontale.

Me dëmtimet e aparatit mbështetës mund të vjen deri të luhatja e dhëmbëve dhe si pasojë mund të kemi paradontozë të dhëmbëve. Poashtu bruksizmi ndikon edhe në lodhjen e nyjës temporomandibullare (nyjës së nofullës) dhe bënë që këtë lodhje ta ndjej edhe gjatë ditës.

Sipas studimeve të fundit besohet se shtrëngimi i dhëmbëve mund të jetë një faktor kontribues në ushtimat ose zhurmat ne veshë, që njihet si tinitusi, (tingull i zhurmshëm që ndodh në njërin apo në të dy veshët). Ta kemi të qartë kjo nuk është pista e parë e dyshimeve të shkaktarëve të zhurmave në vesh, fillimisht duhet trajnuar nga specialistët ORL-së, por në raste kur përkundër trajtimeve të problemeve me veshët apo shkaktarëve tjerë që shkaktojnë tinitusin, atëherë duhet parë se mos shkaktimi apo përkeqësimi i simptomave të tinitusit vjen nga shtrëngimi i dhëmbëve.

Shkaqet që shtyjnë në shtrëngimin e dhëmbëve nuk janë plotësisht të njohura por besohet gjerësisht se lidhen me stresin, andaj, ndryshimet e përgjithshme pozitive që ndihmojnë për të lehtësuar stresin, mund të jenë zgjidhje ideale për problemin e bruksizmit, kjo nuk është gjithmonë funksionale dhe madje përpjekjet për të ulur nivelin e stresit mund të zgjasë me vite.

Më herët nuk është aluduar por sipas studimeve të fundit, megjithatë, sforcimi i nofullave dhe muskujve që ndodhin si pasojë e shtrëngimit të dhëmbëve mund të jenë faktorë në shkaktimin e ushtimave në vesh, apo edhe anasjelltas.

Prandaj, nëse keni ushtima në veshë përderisa provoni të flini, dhëmbët e përparmë u janë bërë më të mprehtë me kalimin e kohës, zmalti i dhëmbëve është hequr (shtresa mbrojtëse e dhëmbëve, më këtë rast aty rritet ndjeshmëria dhe rrezikohet më tepër nga sëmundjet e dhëmbit), keni dhimbje të pashpjegueshme të dhëmbëve, dhimbje muskulore ose tension në zonën e nofullës, dhimbje në qafë dhe kokë dhe çrregullime të gjumit, atëherë jeni duke u ballafaquar me tinnitusin e shkaktuar nga bruksizmi poashtu.

Por fillimisht duhet konstatuar nëse shtrëngimi po shkaktohet nga radhitja jo e rregullt e dhëmbëve, numri jo adekuat i tyre, pozita e dhëmbëve, madhësia e tyre, forma por edhe pozita e nofullave. Në këto raste intervenohet në shkaktarin kryesor dhe më pas mënjanohet problemi.

Nëse shtrëngimi i dhëmbëve nuk vjen nga shkaktarët e lartpërmendur, atëherë konstatohet se kjo është si pasojë e faktorëve stresogjen. Në të tilla raste, përgatiten shabllonë të personalizuar mbrojtës (splinta) të cilat duhet të mbahen gjatë natës me qëllim të bëhet mbrojta e dhëmbëve dhe poashtu duhet rekomanduar teknika të menaxhimit të stresit dhe konsultime me profesionistë tjerë varësisht nga rasti.

Spec. Dr. Arianita Shala – Zeka