Shtohet presioni ndaj Haradinajt: Gjermania e porosit ta heqë taksën

E publikuar: 12/02/2019 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njeri ndër njerëzit më të besueshëm të kancelares gjermane Angela Merkel, eurodeputeti dhe raportuesi për Serbinë, David McAllister, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës anulimin e vendimit për taksën kundër mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të aplikuar taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një shkelje e qartë e CEFTA-s dhe e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit. Unë i bëj thirrje Qeverisë në Prishtinë që ta anulojnë këtë vendim në mënyrë që, shpresoj, që dialogu të vazhdojë”, ka thënë McAllister.

Ai shtoi gjithashtu se tashmë BE-ja e ka bërë të qartë se nuk mund të ketë arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa largimin e taksës.

“Unë e kuptoj se të dyja palët kanë shqetësime, e kuptoj se nuk është e lehtë, por gjithashtu dua të theksoj se dy presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi e kanë ngritur dialogun në nivelin e ri”, ka thënë McAllister, i cili konsiderohet si njeri i besueshëm i Merkelit në Parlamentin Evropian, përcjell lajmi.net.

Sot, krerëve të shtetit i ka ardhur një letër nga Zëvendësasistenti i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, i cili u ka treguar se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake serbe, i ka prishur raportet me Amerikën.

Në letrën që zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë edhe Palmer, i kanë dërguar presidentit Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli si dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, thuhet se SHBA-të do të stopojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve për taksën.

Po ashtu, aty thuhet se do të shqyrtohen edhe bashkëpunimet në fushat tjera mes Kosovës dhe SHBA-ve.