Shtohet numri i të huajve pa strehë në vendet e BE-së

E publikuar: 22/11/2017 12:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vitin 2011 kemi pasur rreth 11 përqind persona të pastrehë nga shtetet e BE. Ndërkohë ky numër ka arritur në 25 përqind”, thotë Petra Fuhrmann, e cila kujdeset për të pastrehët për Qendrën Sociale të Diakonisë në Essen. Me punën e saj, Fuhrmann ndihet e lënë vetëm nga politika. “Në fakt ne nuk jemi përgjegjës për të pastrehët nga shtete të tjera të BE. Kështu është përcaktuar në Kodin Social. Por në fakt mungon një pikë kontakti e rregullt për migrantët.”

Nga Deutsche Welle

“Ne sigurojmë ushqim përmes kuzhinës së supës, nganjëherë edhe strehimi për natën ose mundësinë për të bërë dush.” Shumica e njerëzve janë të drojtur, prandaj është e vështirë që t’i bësh që të shprehen për hallet që kanë.

Rrethi vicioz i varfërisë

Shumica e migrantëve të pastrehë nga BE në Gjermani vijnë nga Rumania, Bullgaria dhe Polonia. Shumë njerëz vijnë me përfytyrime të gabuara në Gjermani, pa arsim dhe pa njohuri të gjuhës. Në Berlin ata jetojnë në çadra që i kanë sjellë me vete, në automjete ose 30 vetë në një dhomë. Ditën përpiqen të fitojnë para si punëtorë me mëditje. Atje edhe i shfrytëzojnë duke u dhënë paga të ulëta, shpesh pa sigurime sociale. Si shtetas nga BE në Gjermani ata vërtet kanë të drejtë që të kërkojnë punë në Gjermani, por nuk kanë të drejtë të marrin shërbime sociale.

Puna që bëjnë nuk arrin të llogaritet në shërbime që u siguron pagesën e të papunit dhe kur kanë jetuar më pak se pesë vjet në Gjermani, nuk kanë të drejtë të marrin ndihmën sociale Hartz IV. Meqenëse nuk janë refugjatë, ata nuk kanë të drejtë të as subvencione publike. Megjithatë, ky grup që po rritet, është relativisht i vogël në krahasim me grupin e migrantëve të BE nga shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Megjithatë imigrantët e integruar nuk perceptohen thuajse fare – njerëzit që jetojnë në rrugë po.

Tendencë në rritje

Numri i saktë i imigrantëve nga shtetet e Evropës Lindore dhe nga Ballkani, që jetojnë në kushte të vështira, është i paqartë. “Nuk ka sondazhe për këtë. Vitin e kaluar tek ne erdhën 1,5 milionë vetë nga shtetet e BE. Ne llogarisim që 15 përqind e tyre dështojnë dhe jetojnë në kushte jetësore të pasigurta. Pra të tillë do të ishin 200.000 deri 300.000 vetë”, thotë Ulrich Hermannes, drejtor ekzekutiv i Hoffnungsorte Hamburg, një njësi që kujdeset për migrantët e pastrehë nga BE.

Shoqata federale e Punës “Ndihma për të Pastrehët”, BAG, flet për rreth 12 përqind qytetarë të pastrehë të BE, ose rreth 50.000 vetë. Kjo shoqatë kërkon një takim të nivelit të lartë për strehimin dhe një plan kombëtar nacional për të kapërcyer gjendjen e vështirë në strehim.