Shtohet një rast i ri me koronavirus në Kosovë, numri i të infektuarve shkon në 126

E publikuar: 02/04/2020 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se një person sot ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Sipas njoftimit, sot janë testuar 58 pacientë të dyshimtë nga Klinika Infektive dhe Klinika e Pulmologjisë, ku një prej të cilëve ka rezultuar pozitiv.

Njoftohet se pacientja e infektuar është nga Korisha e Prizrenit. Ndërkaq IKSHPK thotë se do të hulumtohen të gjitha kontaktet dhe do të testohen.

“Do të hulumtohen të gjitha kontaktet dhe të testohen. Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHPK-së nëse njerëzit nuk iu përmbahen masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikohet përhapje komunitare.

Deri sot në Kosovë janë konfirmuar 126 raste të infektuar me koronavirus, ndërkaq 10 persona janë shëruar dhe një person ka vdekur si pasojë e infektimit.