Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës, ka thënë se do të hyjë kur të dojë dhe do t’i padisë ata që janë duke ia cenuar lirinë.
Arrestimet e ndalimet e fundit në Kosovë kanë hedhur grimca acarimi mes Kosovës e Serbisë.
Paraburgimi i drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, dhe një javë pas ndalimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili po shihet si një përgjigje e palës kosovare ndaj të bëmave serbe kanë shtuar tensionin mes dy shteteve, shkruan sot gazeta.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka shprehur shqetësimet për ngjarjet e fundit mes dy shteteve, sipas Abdullahut, rastet e tilla nuk i dërgojnë marrëdhëniet drejt normalizimit.
“Ne jemi duke u përpjekur si Qeveri të kemi raporte normale, por aktet e tilla, veprimet e tilla nuk e ndihmojnë normalizimin. Nuk i përmbushim obligimet ne si shtet në dy rastet dhe Serbia për atë që është projekt i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Abdullahu.