Shtohen patrullimet e policëve nëpër shkolla

E publikuar: 08/05/2019 21:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ani pse shumica e shkollave kanë të angazhuar pjesëtarë të sigurimit privat, numri i rasteve të dhunës nuk ka shënuar rënie.

Duke marrë si shkas edhe rrahjen e një mësimdhënëseje dhe problematikat e tjera që nxënësit i shkaktojnë, Ministria e Arsimit dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë marrë vendim për shtimin e patrullave policore në institucionet arsimore, raporton KTV.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim, nuk ka treguar sa do të jetë numri i policëve patrullues, por vetëm se ka ndërmarrë masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë.

E ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka treguar se ideja është që të mos ketë shumë policë në shkollë, por patrullimet të bëhen për çdo ditë.

Bytyqi shtoi se i ka angazhuar drejtoritë komunale që t’i njoftojnë drejtorët, që ata të jenë më vigjilentë karshi këtyre rasteve dhe t’i raportojnë menjëherë në polici, pasi në të shumë raste, sipas tij, po tentohet që ato të fshihen.

Zëvendësdrejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, thotë se me angazhimin e pjesëtarëve të sigurimit privat në këtë shkollë, ka rënë numri i rasteve të dhunës.

Ministria e Arsimit bën të ditur se gjatë pushimit vjetor, në muajt e verës, sërish palët e përfshira do të takohen për të vendosur për format e tjera të shtimit të sigurisë në shkolla.