“Shteti shqiptar të vret në gjumë”/ Apeli për ndihmë i mbesës së shkrimtarit të famshëm

E publikuar: 06/05/2020 15:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vera Camaj, është mbesa e shkrimtarit të njohur Martin Camaj. Vera thotë që ka kaluar një jetë të vuajtur, nga dhuna e shkaktuar nga ish-bashkëshorti, malli për fëmijët, por edhe kushtet e vështira ekonomike.

Me 10 mijë lekë të vjetra që përfiton nga ndihma ekonomike, Vera është e detyruar për të kaluar muajin. Qiraja e shtëpisë 200 euro në muaj, është shumë e madhe krahasuar me të ardhurat që përfiton, por ajo thotë se e ndihmon një shoqatë gjermane. Një pjesë e errët e jetës së Verës, janë dhe dy vitet që kaloi në burgun e grave në “Ali Dem”(Tiranë). Ajo thotë se është dënuar padrejtësisht, madje edhe sot e kësaj dite nuk e dinë se përse ka vuajtur dënimin në atë institucion. Pasi doli nga burgu, Vera thotë që është strehuar te “motrat e Nënë Terezës”, por edhe në një shtëpi në “Qytet Studenti”, të kryeqytetit.

18 vitet që kaloi me ish-bashkëshortin ajo i quan vite të shkuara dëm, sepse kanë qenë të shoqëruara nga dhunë sistematike. Vera hedh akuza të forta dhe ndaj një polici të policisë së Shkodërs, i cili sipas saj, teksa ajo po denonconte ish-bashkëshortin, i ka kërkuar që të martohet me të. Këto ngjarje kanë bërë që Vera të humbasë shpresën tek institucionet shtetërore në vendin tonë dhe zgjidhjen e vetme ta shikojë te shqiptarët në mërgim.

“Martini është xhaxhai im dhe ndihem krenar me shkrimet e tij. Ne nuk mundëm ta takonim kurrë nga afër, sepse regjimi nuk na lejoi, ai vdiq në Gjermani. Unë sot nuk kam askënd, kam vetëm zotin dhe dy fëmijët e mi. Do ta pasqyroj edhe pse kam kërcënime, do t’i shkoj deri në fund. Më kërcënojnë njerëz të panjohur, më telefonojnë dhe më thonë mos thoni je e këtij fisi, mos thuaj këtë, atë. Unë nuk e ndryshoj për asgjë në botë. Jam kërcënuar, kam kërkuar mbrojtje. Unë jetoj e vetme, prej hallit jetoj aty, kam shtëpi në qira, 200 euro në muaj paguaj. Tani këto vite kam pasur 10 mijë lekë të vjetra në muaj nga shteti shqiptar, këto dy muaj që jam e mbyllur më kanë dhënë dy litra vaj, çokollata dhe sheqer. Para dy muajsh më ka ndihmuar një shoqatë gjermane. Kur kam qenë në Shkodër kam punuar në fabrikë këpucësh. Humba 18 vite jetë, por shkova dhe në burg për prostitucion dy vite, nuk e di se përse u dënova. Kur kam shkuar me bërë denoncimin në polici, më ka kërkuar të martohem me të, Izmir Duraku, shef policie. Deri në zyrën e Sandër Lleshit kam qenë, por ai mbron dhunën, mbron ata që duan të shkatërrojnë botën. Unë e them dhe do ta them disa herë, do të hakmerrem ndaj shteti shqiptar që më kanë trajtuar keq. Kur të vij shefi i policisë dhe të thotë, eja dhe martohemi bashkë. Policia mori bashkëshortin dhe e mbajtën 30 minuta. Kur jam dhunuar ika te motrat e Nënë Terezës, por erdhi ish-burri dhe vëllai. Më tha do të vras nëse merr shtëpinë. Deshën të më nxirrnin në rrugë, por motrat e Nënë Terezës nuk e bënë. Kam kërkuar vetë ndarjen dhe ka vazhduar ndarja, kur jam ndarë thashë shpëtova. Fëmijët i kam takuar , i takoja fshehurazi. Ish-bashkëshorti nuk u dënua. Çdo burrë e vret gruan e vet, më thanë policët. Denoncim anonim, atë kohë punoja te nje grua që kishte kaluar në sklerozë, nuk e mbanin fëmijët dhe për 120 mijë lekë qëndrova 3 muaj aty. Më ka marrë një burrë në telefon dhe më thotë që hajde merre fëmijën te policia. Unë mendova gjërat më ekstreme, mendova që kanë bërë ndonjë gjë fëmijët dhe policia po më merr aty. Nuk më kanë treguar por më dërguan në burg. Unë nuk e fal lotin tim kurrë. Kisha një avokat të shtetit dhe nuk më tha gjë hiç, qëndroi pa fjalë. Unë i kam shkruar një letër Saimir Tahirit dhe më erdhi një përgjigje arrogante. Kam qëndruar gjashtë muaj në kishë, më pas tetë muaj kam qëndruar në Qytet Studenti në Tiranë. U detyrova dhe shkova për azil në Gjermani. Unë para katër ditësh isha në një zyrë dhe më adresoi një shoqja ime. Ai më ka ofruar një mbështetje dhe më kanë thënë që për çdo gjë jam unë. Ai më ka hapur një ditë jeshile dhe besoj tek ai, që mund të kem një mbrojtje. Nuk kam shpresë te shteti shqiptar. Ai nuk është më ai që ka qenë, e kam takuar ish-bashkëshortin në spitalin ushtarak. Djali bëri aksident, kam qëndruar një muaj në spital me fëmijët. Unë i bëj thirrje shqiptarëve të Diasporës dhe i them që te ju kam shpresë që të më ndihmoni, sepse shteti shqiptar të vret natën në gjumë”, tha Vera Camaj./Topchannel/