Shteti harxhoi mbi gjysmë miliardi euro për pensione e transfere

E publikuar: 09/04/2019 07:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbi gjysmë miliardi euro ka shpenzuar shteti në subvencione dhe transfere gjatë vitit 2018, duke rritur shpenzimet për këtë kategori për gati 10 për qind. Nga 508 milionë e 316 mijë euro sa ishin shpenzuar në vitin 2017, për këto linja buxhetore, shpenzimet janë rritur në 558 milionë e 778 mijë euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve është për pensionet bazë, pensionet kontributdhënëse, pensionet për veteranët e luftës dhe ato për invalidë të luftës, shkruan sot Koha Ditore.

Bazuar në raportin e shpenzimeve për vitin 2018, të përgatitur nga Ministria e Financave, për pensionet bazike të 126.888 pensionistëve janë shpenzuar 116 milionë e 317 mijë euro. Për pensionistët kontributdhënës, numri i të cilëve sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 45.391 janë shpenzuar 95 milionë e 500 mijë euro.

Nga paratë e taksapaguesve janë shpenzuar rreth 76 milionë e 416 euro për pagesat e 38 mijë e 345 veteranëve. Përveç veteranëve, nga buxheti i shtetit marrin pension familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, numri i të cilëve arrin 13.138. Shuma për këtë kategori që është shpenzuar gjatë vitit të kaluar është rreth 41 milionë euro.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)