Shteti do të ritestojë të gjithë zyrtarët e prokurimit publik

E publikuar: 22/03/2015 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët e prokurimit të institucioneve buxhetore do të i nënshtrohen një testi të ri i cili ka për qëllim të sigurojë Qeverinë se këta zyrtarë kanë aftësi për të kryer detyrat ashtu siç duhet.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i financave, Avdullah Hoti. Ai po ashtu ka thënë se shumë shpejtë Qeveria do të hartojë Ligjin e ri për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ligj ky i cili do të ketë afat kohorë për përmbylljen e procesit të privatizimit dhe kthimin e atyre mjeteve në buxhetin e Kosovës.

“Do të kalojnë nëpër një test të ri për t’u siguruar që kanë aftësi të nevojshme për të kryer këtë detyrë dhe që kanë integritet të nevojshëm për të përmbush kërkesat e ligjit. Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë e kemi koncept dokumentin për Ligjin e Prokurimit Publik pastaj punohet edhe në Ligj, për dy apo tre muaj besoj që do ta përmbyllim këtë proces”, tha ai.

Hoti ka shtuar se të gjithë zyrtarët e prokurimit do t’i hynë një procesit të ri-licencimit, ri-certifikimit në gjitha organizatat buxhetore për të siguruar që në zyrat e prokurimit gjithkund nëpër Kosovë nëpër të gjitha institucionet e Kosovës janë njerëz me integritet të lartë.

Ai po ashtu ka thënë se mjetet e AKP-së do të investohen në zhvillimin e vendit.

“Për Agjencinë e Privatizimit ne po mendojmë ta ndërrojmë ligjin për AKP-në i cili ligj do vendoste afat kohorë për përmbylljen e procesit të privatizimit dhe kthimin e atyre mjeteve në buxhetin e Kosovës. Ato mjete sipas ligjit aktual mund të përdoren për projekte zhvillimore, në fakt unë pres që shumë shpejtë është çështje javësh të funksionalizohet bordi i AKP-së dhe disa miliona prej fondeve të privatizimit ne veç ti marrim në buxhet”, ka thënë Hoti.

Ai ka përmendur edhe ndryshimet kryesore të ligjeve të TVSH-së. Sipas tij, ulja e pragut të TVSH-së prej 50 mijë euro në 30 mijë euro kjo do t’u mundësojë bizneseve të futen në regjimin e TVSH-së.

Ndërsa ndryshimi i dytë shumë i madh sipas Hotit është përshkallëzimi i TVSH-së , që norma prej 16 për qind do e zvogëlohet në 8 për qind për produktet elementare bazike , buka , vaji, kripa.

Ndërsa po planifikojnë ta rrisin në 18 për qind TVSH-në që jo domosdorisht e prekin standardin e jetës së qytetarëve.

“Ndryshimet tjera madhore janë heqja TVSH nga të gjitha linjat e prodhimit në investime zero TVSH. Posa t’i përmbyllim këto tri ligje menjëherë do të fillojmë të punojmë në kodin doganor. Normalisht fokusi jonë është në promovimin e investimeve në prodhim dhe bashkë me heqjen e TVSH-së në linjat prodhuese ne do të heqin edhe ngarkesën doganore për këto linja prodhuese dhe tek një vragë i lëndëve të para që përdoren drejtpërdrejt në procesin e prodhimit”, ka thënë ai.

Hoti nuk e di nëse qeveria do të hy në program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Po ashtu Hoti ka thënë se projektet kapitale për të cilat parashihet të bëhen në bujqësi, infrastrukturën hekurudhore dhe në ndërtimin e disa rrugëve regjionale.

“Lidhur me projektet kapitale do t’i konsiderojë të gjitha këto kërkesa në kornizën afatmesme që përgatite në prill. Pastaj e kemi një vlerësim për nevojat financiare për të financuar këto projekte kapitale por disa prej tyre ne veç i kemi të listuara qysh tash në programin qeverisës. Projekte për dyfishim të tokave bujqësore nën ujitje është hekurudha prej Hanit të Elezit deri në Mitrovicë , hekurudha për Pejë është rruga për Pejë e cila po ashtu po negociohet rruga për Mitrovicë , rruga për Podujevë rruga për Gjilan disa rrugë regjionale disa projekte të ujësjellësit projekte për menaxhimin e mbeturinave dhe plot projekte të tjera gjithandej nëpër organizata buxhetore. Por deri në prill atëherë do ta kemi pasqyrën e qartë për listën e projekteve si mund të shpërndahen ato për katër vitet e ardhshme”, ka thënë Hoti.

Ndërsa sa i përket deklaratave të udhëheqësve të kompanive publike për vendimin faljeve të borxheve, Hoti i ka hedh poshtë duke thënë se këto kompani nuk kanë pasur mundësi t’i mbledhin këto borxhe.

“Unë mendoj se disa prej deklarimeve kanë qenë të papërgjegjshme po bëhet fjalë për falje të borxheve që janë deri në fund të vitit 2008 po bëhet fjalë për borxhe që këto kompani nuk kanë pasur mundësi t’i mbledhin i kanë dërguar nëpër gjykata por këto borxhe kanë mbet lëndë të pa zgjidhura nëpër ato gjykata”, ka thënë Hoti.