Shqiptari më i rëndësishëm në hierarkinë e ISIS, bisedonte me celulën e Tiranës për rekrutime

E publikuar: 13/01/2016 21:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të tjera detaje zbulohen nga veprimtaria e ish – imamit të Leshnicës, Almir Daci, në rekrutimin e të rinjve shqiptarë për t’i dërguar më pas në luftën e Sirisë. Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila pak ditë më parë e dërgoi në gjyq 33 – vjeçarin nga Pogradeci, për akuzën e terrorizmit, ka faktuar se ai ka patur lidhje të forta dhe komunikim të përditshëm me Bujar Hysën dhe Genci Ballën, dy imamët që aktualisht po gjykohen tek Krimet e Rënda.
Në përgjimet e kryera është vërtetuar se Daci ka folur në telefon me Hysën duke i raportuar për familjen e Genci Ballës, për të cilën kujdeset në Siri. Në këto biseda, Daci i drejtohet Ballës me emrin “Hoxha”. Pjesë e diskutimeve të tyre janë dhe luftimet në Siri dhe i kërkon lekë, Bujar Hysës për të blerë armë të reja.
Pas këtyre komunikimeve, Bujar Hysa e njofton disa ditë më vonë se do t’i dërgoj dy djem të mirë, pikërisht Ermal Docin dhe Bledar Veshtin.
Ndërsa në një tjetër rast, Daci e njofton Hysën për gruan e Diamant Rashës, të cilën e kanë marrë në telefon prinderit dhe kërkon të kthehet në Shqipëri. Diamant Rasha, sipas të dhënave të SHISH, është një nga 14 shqiptarët e vrarë në luftën e Sirisë.
Në dosjen e dorëzuar në gjykatë, Prokuroria ka listuar dhe dëshmitë e familjarëve të Erjon Alinji, ish – Komando në Zall – Herr, edhe ky i dyshuar si i vrarë. Alinji me origjinë nga Leshnica është larguar drejt Sirisë në Shkurt të 2013 dhe ata akuzojnë Almir Dacin për rekrutimin e tij.
Hetusit kanë kqyrur dhe disa video në internet, ku shihen shtetas shqiptarë që propagandojnë dhe marrin pjesë në konfliktin sirian. Një ndër ta është dhe Leonard Perleka, edhe ky ish – Komando i Ushtrisë Shqiptare./Opinion/