Shqiptarët paguajnë 33.23 dollar në muaj për internetin, thuajse aq sa Gjermanët

E publikuar: 28/11/2017 03:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria renditet në vendin e 42 në botë për internetin më të lirë me një çmim mesatar 33.23 dollarë në muaj për paketë interneti me brez të gjerë.

Është kjo renditja që ka siguruar vendi ynë në një studim të fundit të BRBC Continental dhe publikuar fillimisht nga Monitor.

Rreth 3351 paketa interneti u regjistruan dhe analizuan nga BRBC Continental dhe Cable.co.uk mes 18 gushtit dhe 12 tetor 2017 nga ku u bë renditja e kostot për 196 vende nga më i liri tek më i shtrenjti.

Si krahasohet Shqipëria?

Ndërsa të dhënat e raportit në pamje të parë japin sinjale pozitive se Shqipëria pozicionohet mirë historia është krejt tjetër nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë.

Ajo që përcakton nëse kostoja e internetit nuk rëndon xhepat e shqiptarëve janë të ardhurat e tyre dhe jo kostoja mujore e shërbimit.

Konkretisht shqiptarët paguajnë internet thuajse aq sa paguajnë qytetarët e një vendi perëndimor si Gjermania, Franca apo Italia, vende të cilat u sigurojnë qytetarëve të ardhura shumë më të larta krahasuar me të ardhurat e shqiptarëve.

Një tjetër faktor me rëndësi për tu marrë në konsideratë është shpejtësia mesatare e internetit. Shqipëria është një prej vendeve me shpejtësinë më të ulët të internetit broadband fiks sipas Ookla duke u renditur në vendin e 99 nga 135 shtete të analizuara me shpejtësi mesatare prej 12.35 Mbps dhe në vendin e 44-të me shpejtësi mesatare 25.6 Mbps në internetin mobil.

Serbia për shembull renditet në vendin e 11 si më e lirë me një kosto pakete 18.92 dollarë sipas raportit në fjalë por ka një shpejtësi mesatare prej 24.22 Mbps për internet broadband fiks dhe 31.46 Mbps për internetit mobil.

Vendi me koston më të lartë të internetit është Burkina Faso ku qytetarët e tij duhet të paguajnë 954.54 dollar në muaj mesatarisht për shërbimin. /Cable.co.uk /PCWorld Albanian