Shqiptarët në Medvegje mbetën me vetëm 3 këshilltarë, nga 8 që kishin

E publikuar: 09/09/2019 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koalicioni “Të gjithë për Medvegjën” ka fituar 2 këshilltarë, ndërsa PVD me një këshilltar. Deri tani në Këshillin Komunal të Medvegjës ishin 8 këshilltarë shqiptarë.

Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale në Medvegjë partitë shqiptare kanë pësuar një rënie të thellë të numrit të këshilltarëve komunalë.

Nga gjithsej 6602 vota, partitë shqiptare kanë siguruar 668 vota, apo rreth 10 për qind nga trupi votues. Koalicioni “Të gjithë për Medvegjën” i udhëhequr nga Muharrem Salihu ka fituar 392 vota, apo 9.19%, ndërsa Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka fituar 278, apo 6.51%. Sipas këtyre votave, koalicioni “Të gjithë për Medvegjën” ka fituar 2 këshilltarë, ndërsa PVD me një këshilltar. Deri tani në këshillin komunal të Medvegjës ka pasur 8 këshilltarë shqiptarë, përcjell INA.

Numrin më të madh të votave e ka fituar partia SNS e Aleksandar Vuçiq, edhe atë 2764 apo 61.89%, ndërsa tri parti të tjera më të vogla kanë siguruar rreth 18%. Por opozita e bashkuar serbe ka bojkotuar këto zgjedhje. Në këto zgjedhje nga gjithsej 6.602 me të drejt vote, kanë votuar 4.266 votues.

Shumë shqiptarë, edhe pse nga Kosova dhe disa nga diaspora kishin shkuar për të votuar, ata janë kthyer pa mundur ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, pasi që janë shlyer nga listat e votimit, me planin e pushtetit aktual në Serbi të pasivizimit të adresave të familjeve shqiptare. Por edhe një numër i madh i vendasve nuk kanë mundur të votojnë, pasi që nuk kanë qenë në listat e votuesve. Muharrem Salihu, si bartësi i koalicionit shqiptar, tha se ka qenë një betejë e rëndë politike dhe se do të ketë shumë punë për të bërë në planin politik. Ai paralajmëroi se do të shpalos qëndrimet e tij lidhur me procesin zgjedhor dhe rrugëtimin e tij politik në Medvegjë. Ky koalicion për herë të parë do të jetë i angazhuar politikisht në komunën e Medvegjës.

Me parë në Këshillin Komunal të Medvegjës shqiptaret kanë pasur 8 këshilltarë.