Shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë “Asociacion” si të komunave serbe në Kosovë

E publikuar: 27/08/2015 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja UNITETI pranoi me rezerva lajmin për nënshkrimin në Bruksel të Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke vlerësuar se kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për rajonin e Ballkanit.

“Duke respektuar maksimalisht të drejtat e liritë e njeriut, individuale dhe kolektive të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe më gjerë, mendojmë që themelimi i Asociacioneve të këtilla paraqet një zgjidhje etno territoriale të kontesteve komunitare, që janë të dëmshme për qytetarët në Kosovë pa dallim.

Formimi i bashkësive të këtilla të veçanta territoriale për komunitete në numra modestë në territorin e një shteti sovran, mund të çojë në kërkesa të ngjashme nga komunitete tjera në rajon, të cilat kanë një potencë demografike pakrahasueshmërisht më të mëdha se komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Uniteti, transmeton ina.

Në drejtim të organizimit territorial dhe administrativ të Kosovës, kjo Lëvizje vlerëson se themelimi i një Bashkësie të këtillë çon në precedentin e krijimit të nivelit të tretë të pushtetit në vend, përtej atyre ekzistues aktualë në rafsh qëndror dhe lokal.

Gjithashtu, kompetencat burimore në sfera të tilla si arsimi, shëndetësia, edukimi, planifikimi hapësinor si dhe qenia e Asociacionit si entitet i veçantë ku një shtet tjetër sovran si Serbia ka të drejtë të ndërhyjë me formate financuese ose tjera, e çon Republikën e Kosovës drejt një decentralizimi të panjohur më parë me elemente të theksuara federaliste.

Uniteti vlerëson se Marrëveshja është edhe në kundërshtim me trendet europiane për zhvillim të barabartë të rajoneve. Andaj, duhet aplikuar modele që çojnë drejt një zhvillimi të barabartë duke thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe kurrësesi jo ndarjet në vija etnike.

“Lëvizja UNITETI, njofton opinionin e gjerë se do studiojë në vazhdimësi dhe seriozisht modalitetet e kësaj Marrëveshje dhe nëse ekzistojnë kushtet dhe kërkesat, do studiojë format dhe mënyrat e realizimit apo aplikimit të saj edhe në Maqedoni, në formën e një Asociacioni apo bashkimi të lirë e vullnetar të komunave shqiptare këtu, pa marrë parasysh vijimësinë gjeografike dhe përbërjen etnike të tyre”, theksohet në kumtesë.