Shqipëria voton për pushtetin vendor

E publikuar: 21/06/2015 12:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet vendore. Për herë të parë në këto zgjedhje, aplikohet ndarja e re territoriale, e cila i ndan 12 qarqet e vendit në 61 njësi vendore.

Drejtuesit kryesorë politikë të vendit patën sot thuajse një mesazh të njëjtë drejtuar zgjedhësve, duke kërkuar një pjesmarrje masive në votim.

“Sot të gjithë qytetarët që nga Presidenti i vendit dhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Vermoshi në Konispol kanë të njëjtën fuqi përmes votës së tyre. I siguroj që vota është e fshehtë dhe e lirë. Askush nuk do t’i kontrollojë ata se si do të votojnë. Ata duhet të votojnë për atë që mendojnë se është më e mira për jetën e tyre, për vendin, për të ardhmen”, deklaroi presidenti Bujar Nishani, pas daljes nga qendra ku ai votoi në Tiranë.

E njëjta thirrje u bë dhe nga kryeministri Edi Rama.

“Duke votuar sot, qytetarët marrin pjesë në një proces historik të vulosjes së një reforme historike për Shqipërinë, siç është reforma administrativo-territoriale. Pavarësisht se për kë votojnë, të gjithë ata që votojnë janë qytetarë të lirë dhe që meritojnë respekt. Kush nuk voton, nuk ka të drejtë ankohet”, u shpreh zoti Rama.

“I bëj thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në votime. Të ndajnë pak minuta nga koha dhe të votojnë masivisht. Vota është fuqia, vendimi dhe gjykimi juaj. Vendimet merren nga ata që votojnë. Votoni për të ardhmen tuaj dhe të familjeve tuaja”, deklaroi nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Do t’i ftoja të gjithë ata të cilët ende nuk kanë vendosur të marrin pjesë në këto zgjedhje që të mos e humbasin mundësinë. Nuk janë zgjedhje të zakonshme. Nuk janë si çdo palë zgjedhje që kanë kaluar apo që do të vijnë. Nga nesër do të kemi një Shqipëri tjetër me një organizim të ri administrativ-territorial dhe secili duhet të shprehë vullnetin e tij, bindjen e tij, i pandikuar nga askush në mënyrën më të mirë dhe më demokratike, siç i takon gjithë qytetarëve shqiptarë si qytetarë evropian”, u shpreh nga ana e tij kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Në këto zgjedhje përballen koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Evropiane, dhe koalicioni i djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet.

Në koalicionin e majtë, 15 kandidatë për 61 bashki, janë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, aleati kryesor i Partisë Socialiste në pushtet.

Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje me tri kandidatura të tërhequra nga gara.

Për bashkitë e Këlcyrës, Kurbinit dhe Finiqit, kjo forcë politike nuk ka kandidatë, pasi për Këlcyrën, kandidati i tyre kishte pasur probleme me të shkuarën penale, ndërsa dy të tjerët janë tërhequr për arsye personale.

Fushata zgjedhore ka kaluar pa incidente të rënda, megjithatë nuk kanë munguar edhe pretendimet e forcave politike për parregullsi me regjistrime fiktive të votuesve në adresa që nuk ekzistojnë (rasti i Durrësit e i Vorës), falsifikime të kartave të identitetit, si dhe incidente të dhunshme me simpantizantë të kandidatëve të forcave të ndryshme.

Zgjedhjet e 21 qershorit po monitorohen nga vëzhguesit vendas dhe vëzhgues ndërkombëtarë të OSBE/ODHIR-it. Misioni i këtyre të fundit drejtohet nga zonja Audrey Glover. Njëzet vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues po vëzhgojnë procesin e zgjedhjeve në datën 21 qershor.

Votimi ka nisur në orën 7.00 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 20.00 të mbrëmjes. Në tërë Shqipërinë ka 5,299 qendra votimi, dhe mbi 3 milionë e 370 mijë persona me të drejtë vote.