Shqipëria, me taksat më të larta dhe buxhetin më të “varfër” të rajonit

E publikuar: 13/11/2017 09:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë vit, Shqipëria pritet të arrijë rekord në të ardhurat që ajo mbledh nga bizneset dhe individët përmes taksave që ata paguajnë në buxhet. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), të ardhurat do të arrijnë në 28.2%, niveli më i lartë që nga viti 1993, sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në 2018-n, ky tregues pritet të ulet lehtë në 28.1% të PBB-së dhe pritet të mbetet në këto nivele deri në 2020-n. Për vitin 2018, bizneset dhe individët pritet të paguajnë në total rreth 3.3 miliardë euro taksa.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një taksë që paguhet nga konsumatori në çmimin fundor të mallit ose shërbimit, është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me 33.5% të totalit, sipas parashikimit në projektbuxhetin 2018. Nga TVSH pritet të arkëtohen rreth 1.1 miliardë euro.
Zëri i dytë janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që së bashku zënë 19.2% të totalit të të ardhurave të pritshme.

Akciza është kategoria e tretë, që siguron 9% të të ardhurave. Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro.
Pas akcizës renditen taksa nacionale (renta etj.), tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimfitimi që sjellin përkatësisht rreth 8.5, 8.2 dhe 7.5% të totalit.

1.5 mld euro taksa konsumi
Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro
Krahasimi me rajon, çalojmë dukshëm te sigurimet shoqërore
Ndërsa në krahasim me vetveten, Shqipëria ka arritur rekord, në raport me vendet e tjera të rajonit ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave.
Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit.

Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%. Pozitiv është fakti që teksa i gjithë rajoni ka parë rënie të të ardhurave në raport me PBB-në vitin e fundit, në Shqipëri tendenca ka qenë në rritje.

Tkurrjen më të lartë e ka parë Maqedonia, që dikur mblidhte rreth 35% të PBB-së dhe pritshmëritë janë që të ardhurat të zbresin edhe nën 30%.

Emil Shukrov, analist në Qendrën për Kërkime dhe Politikëbërje në Shkup, tha për “Monitor” se janë disa faktorë që kanë ndikuar në rënien e të ardhurave të Maqedonisë, ku më kryesoret janë evazioni dhe fshehja e importeve, siç ka rezultuar në raportin e fundit të kësaj Qendre mbi Ekonominë Informale dhe Punën e Padeklaruar, i realizuar në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri në 2016-2017.

Ai shton se ulja e taksave nga qeveria maqedonase ka dhënë ndikim, megjithëse kjo ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve. Në kahun tjetër, shpenzimet kanë qenë joproduktive, si subvencionet masive dhe në rritje për bujqësinë, pa një vlerësim të saktë se çfarë sollën ato dhe rritja e pensioneve dy herë në vit dhe e pagesave sociale.

“Gjithashtu shumë para janë shpenzuar në infrastrukturë të re, shkolla, rrugë, autostrada që duhen mbaruar, spitale të reja dhe universitete – disa prej tyre nuk prodhojnë të ardhura për shkak të natyrës së tyre dhe të tjera duhet ende të vihen në funksion që të jenë produktive”.

Zëri ku Shqipëria çalon dukshëm është ai i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me vetëm 5.2% të PBB-së, vendi ynë mbledh sa gjysma e mesatares së rajonit. Në Serbi dhe Mal të Zi, ky tregues i kalon 12% të PBB-së. Ky është një tregues i informalitetit të lartë të punës në vend, teksa një pjesë e madhe e punonjësve deklarojnë paga minimale, por edhe e faktit që Shqipëria ka një numër të lartë të të punësuarve në sektorin bujqësor, që paguajnë kontribute minimale, ose nuk paguajnë fare.

Sipas INSTAT, në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, të punësuarit në fshat (që në fakt konsiderohen të vetëpunësuar) përbënin 42% të totalit. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një tjetër kategori që mblidhet rreth 2-3 pikë përqindje më pak se mesatarja e rajonit. Për vitin 2018, pritet që ky zë, i cili është një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi, të mbetet në 9.1% të PBB-së, në nivele të njëjta me një vit më parë.

Financat tentuan që të luftonin evazionin përmes mbylljes së ciklit të TVSH-së nga zero, por më pas u tërhoqën dhe ulën kufirin nga 5 në 2 milionë lekë dhe vetëm për një kategori biznesesh. Në rajon, kryesojnë Maqedonia dhe Mali i Zi, që mbledhin nga TVSH-ja mbi 14% të PBB-së.

Shqipëria ka rendiment më të ulët se rajoni edhe për mbledhjen e të ardhurave nga akciza (rreth 3 pikë përqindje të PBB-së më pak), dhe tek të ardhurat personale (rreth 1 pikë përqindje më pak), por është më mirë në të ardhurat që gjeneron nga tatimfitimi i bizneseve.

Statistikat tregojnë se Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon për tatimin e pronës. Të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë më pak se 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rajoni e ka këtë tregues në rreth 0.7-1% të PBB-së, ndërsa vendi që ka performancën më të mirë është Kroacia, me rreth 2% të PBB-së.

Sipas të dhënave të OECD, në vendet e zhvilluara, të ardhurat nga taksa e pasurisë në Itali janë sa 2.8% e PBB-së, në Greqi 2% e PBB-së, në Zvicër sa 1.9% e PBB-së, Austria 0.6%, Sllovenia 0.6%, Hungaria 1.3%. Nivelin më të lartë e mbajnë Britania dhe Franca, që mbledhin nga taksa e pasurisë 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga janari i këtij viti do të nisë mbledhja e taksës së pronës sipas një formule të re, bazuar në vlerë. Drafti zyrtar i projektligjit “Për taksat vendore”, që është pjesë e Paketës Fiskale 2018, përcakton se taksa për ndërtesat të jetë 0.05% e vlerës së pronës për qytetarët dhe 0.15% për bizneset. Në projektbuxhetin 2018, është parashikuar që të ardhurat nga kjo taksë do të arrijnë në 0.5% të PBB-së, nga 0.3% që është niveli i pritshëm i 2017-s.

Tabela krahasuese e taksave, Shqipëria dhe Serbia më të lartat në rajon

Shqipëria dhe Serbia kanë nivelet më të larta të taksave në rajon për vitin 2017, sipas tabelave të publikuara nga Banka Botërore në kuadër të raportit “Të bësh biznes 2018”. Bizneset shqiptare paguajnë si taksa 37.3% të fitimit dhe në Serbi 39.7%. Nivelin më të ulët e kanë Maqedonia dhe Kosova me përkatësisht 13.2% dhe 15%.

Tatim fitimi

Serbia dhe Shqipëria kanë të dyja nivel të tatim fitimit prej 15%, ndërsa Maqedonia, Bosnja dhe Kosova e kanë 10%, Mali i Zi 9%. Rreth viteve 2007- 2008, rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte më shumë taksat, me synim tërheqjen e investitorëve, duke zbatuar një taksë të sheshtë prej rreth 10%. Por, me fillimin e krizës globale, Serbia dhe Shqipëria zgjodhën të rrisnin sërish tatim fitimin, ndërsa shtetet e tjera vijuan ta mbajnë në nivele të ulëta.

TVSH

Shqipëria dhe Serbia janë të vetmet që e kanë nivelin e TVSH-së prej 20%. Në Mal të Zi, TVSH-ja është 19%, në Maqedoni dhe Kosovë 18%, në Bosnjë 17%. TVSH është në fakt një taksë që paguhet nga konsumatori përmes çmimit final dhe ndikimi i saj në normën e taksave e kontributeve ndaj fitimit për bizneset është zero.

Sigurimet

Kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi janë sërish më të lartat në Shqipëri dhe Serbi, përkatësisht me 15% dhe 17.9%. Vendet e tjera ia ngarkojnë barrën më të lartë të sigurimeve punëmarrësit, ku në Maqedoni psh, sigurimet paguhen tërësisht nga punonjësi (27%), çka ka bërë që bizneset maqedonase të rezultojnë me një normë të ulët të taksave e kontributeve në raport me fitimet. Kontributet më të ulëta i ka Kosova, me 5% secili (punëdhënësi dhe punëmarrësi).

Taksat e tjera

Taksa e pasurisë apo ndërtesës në rajon është në përqindje, model drejt të cilit po shkon dhe Shqipëria, ku më e larta është në Serbi dhe Mal të zi me 0.4-0.5% të vlerës së pronës. Teksa Shqipëria dhe Serbia kanë normat më të larta të taksave e kontributeve, shteti serb arrin të mbledhë të ardhura sa 40% e Prodhimit të Brendshëm bruto, ndërsa ai shqiptar ka rendimentin më të ulët në rajon, me vetëm 28% të ardhura ndaj PBB-së.

Taksat

Teksa Shqipëria dhe Serbia kanë normat më të larta të taksave e kontributeve, shteti serb arrin të mbledhë të ardhura sa 40% e Prodhimit të Brendshëm bruto, ndërsa ai shqiptar ka rendimentin më të ulët në rajon, me vetëm 28% të ardhura ndaj PBB-së.

Barra më e lartë për bizneset shqiptare

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se taksa që rëndon më shumë mbi sipërmarrjet shqiptare është ajo e kontributeve të sigurimeve, me 16.92% të totalit.Vetëm kontributet janë më të larta sesa gjithë taksat që raportojnë se paguajnë bizneset e Maqedonisë në raport me fitimet.

Zëri i dytë që rëndon më shumë bizneset është ai i tatim fitimit, me 14% të totalit. Barra e taksave të tjera është më pak se 2% e totalit të fitimeve. Në 2017-n rezulton të jenë dyfishuar taksat bashkiake. “Të Bësh Biznes” i një viti më parë raportonte që taksat bashkiake ishin rreth 1300 euro në vit, ndërsa në raportin e këtij viti pagesa ishte rreth 2600 euro./ Monitor