Shqipëria mes Kenias dhe Laosit për shpejtësinë e internetit fiks

E publikuar: 22/10/2018 15:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse në mbarë botën është interneti fiks ai i cili rezulton më i shpejtës sesa mobil, e kundërta ndodh në Shqipëri.


Në raportin e fundit të publikuar nga Ookla për muajin Shtator, Shqipëria rënditet në vendin e 20-të në botë për internetin celular dhe e 89-ta për internetin fiks.

Speedtest Global Index është një databazë e cila çdo muaj publikon të dhëna rreth shpejtësive mesatare internetit për 124 vende të botës, ku përfshihet edhe Shqipëria.


Për muajin Shtator, shpejtësia mesatare globale e internetit celular ishte 24.64 Mbps ndërsa e internetit fiks 49.26 Mbps.

Norvegjia është vendi me shpejtësinë më të lartë të internetit celular prej 67.12 Mbps ndërsa Singapori në segmentin fiks me 184 Mbps.

Por në Shqipëri perceptimi për internetin fiks dhe atë celular ndryshon. Tre operatorët kryesor Vodafone, Telekom Albania dhe ALBtelecom kanë ofruar për qytetarët shpejtësi mesatare të kombinuar prej 42.52 Mbps duke rënditur vendin tonë mes më të mirëve në botë.

Një vit më parë kjo shpejtësi ishte vetëm 23.47 Mbps që do të thotë se kemi të bëjmë thuajse me dyfishim të shpejtësisë.

Historia shkruhet ndryshe për internetin fiks ku Shqipëria ka një shpejtësi mesatare prej 16.91 Mbps. Një vit më parë shpejtësia ishte 11.48 Mbps ndër më të ulën në botë.

Konkretisht të internetin celular vendin ynë lë pas të gjithë fqinjët dhe renditet krahas Suedisë dhe Koresë së Jugut.

Mali i Zi, Maqedonia, Serbia  dhe Greqia gjithashtu kanë internet celular të shpejtë 40.80 Mbps, 38.84 Mbps, 38.72 Mbps dhe 38.56 Mbps respektivisht.

Në internetin fiks Shqipëria rënditet krahas Laosit dhe Kenias dhe është vendi me internetin fiks më të ngadaltë në Evropë.

Sipas raportit më të fundit të AKEP, ky sektor dominohet nga ALBtelecom me 120 mijë abonentë, ndjekur nga Abcom me 55 mijë, Tring me 46 mijë dhe Tring me 28 mijë abonentë.

Teknologjia dominuese është xDSL me 52% të lidhjeve. ALBtelecom është ofruesi më i madh i kësaj teknologjie me paketat 30, 50 dhe 100 Mbps mbi teknologjinë VDSL dhe 8 e 16 Mbps me teknologjinë ADSL.

Megjithatë shumica e qytetarëve kanë zgjedhur paketat ADSL ku shpejtësia më e përdorur është 4-10 Mbps me 186 mijë abonentë dhe kjo shpjegon të dhënat e raportit të Ookla.

Edhe pse interneti përmes fibrave optike ka shënuar rritje, ende ka një normë të vogël penetrimi prej vetëm 14%.

Potencial të lartë ka edhe teknologjia DOCSIS 3.0 ku Abcom është një prej operatorëve kryesorë. Kjo teknologji ka një normë pentrimi prej 20%. /PCWorld Albanian