Shqipëria me numrin më të lartë në Europë për vrasje të grave

E publikuar: 03/12/2018 22:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i lartë i vrasjeve në Shqipëri të femrave nga meshkujt, duhet të shihet si një kambanë alarmi për vendin tonë, thonë psikologët, teksa këmbëngulin te rëndësia dhe mbrojtja që u duhet dhënë femrave të dhunuara.

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Evropë.

Kjo e dhënë është publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), në një raport të fundit të saj.

Për psikologen Ariana Muça, ky raport duhet të jetë një kambanë alarmi.

“Kjo tregon se edhe pse ligji është ashpërsuar përsëri nuk po shohim të ketë një efekt ashtu si ne e presim apo e dëshirojmë, që ky numër të jetë edhe më i ulët”, tha Muça, raporton “OraNews”.

Ndonëse ligji është ashpërsuar për dënimin e burrave që dhunojnë gratë, psikologia Muça thotë se duhet bërë më tepër për këtë situatë.

“Të gëzosh të drejta do të thotë që edhe ndarja e pronës midis një burri dhe një gruaje duhet të jetë në mënyrë të barabartë. Nëse kemi një masë kundrejt bashkëshortit, i cili ka dhunuar bashkëshorten atëherë është mirë që ti gjejmë një strehëz. Shikojmë se strehëza ndahet në dy pjesë mes burrit dhe gruas. Edhe pse ai është dhunuesi, një derë i ndan ata të dy”, shtoi ajo.

Raporti i Kombeve të Bashkuara nënvizon se Shqipëria ka nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra, të dhëna këto që i referohen vitit 2016.

Ky është niveli më i lartë në Evropë. Pjesa më e madhe e vrasjeve të grave në Shqipëri kryhen pikërisht nga partnerët e tyre.