Shqipëria e pamposhtur barazon me Danimarkën

E publikuar: 04/09/2015 22:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E pamposhtur! Shqipëria barazoi pa gola në Kopenhagen duke ruajtur pathyeshmërinë dhe duke hedhur një hap më shumë drejt Europianit. Në “Parken” kuqezinjtë morën pikën që dëshironte, duke parë më afër Francën, pasi dolën të pahumbur nga toka e vikingëve, duke luajtur me zemër në fushë, falë mbështetjes së kuqezinjve me qeleshe që vinte nga tribunat. Një 90 minutësh i interpretuar mjaft mirë nga formacioni i De Biasit, që te mbrojtja, ku kishte më shumë mungesa, gjeti repartin më të konsoliduar në Danimarkë. Pritjet e Berishës dhe ndërhyrjet e Canës, Agollit e Ajetit i dhanë kuqezinjvë një barazim që mund të vlejë sa një Europian në fund të vjeshtës.

Në “Parken Stadion” futbollistët kuqezi zbritën të shoqëruar nga ovacionet e tifozëve shqiptarëi, që si një zë i vetëm kënduan himnin bashkë me 11 futbollistët e Kombëtares, teksa një flamur gjigand u valëvit mes murit kuqezi. Trajneri De Biasi i qëndroi besnik formacionit që kishte menduar prej ditësh, me Djimshitin që bëri debutimin në përfaqësuese. Në momentin që u luajt topi i parë gjërat u bënë serioze në fushë, me Shqipërinë që fitoi që në sekondat e para një goditje këndi, ndërsa danezët u përgjigjën rrezikshëm në kundërslm. Në minutën e 8-të, një moment i dyshimtë në zonën daneze, me Shqipërinë që pretendoi për një 11-metërsh. Rastin e parë të vërtetë Danimarka e krijoi me Siston në të 15-tën, por Berisha priti pa probleme. Në të 21-tën rrezikoi dhe Bendtner, gjithsesi rastin më të mirë e krijoi Shqipëria në këtë pjesë të parë, me Cikalleshin që kërkoi rrjetën në të 23-tën por gjeti duart e Schmeichel. Kombëtarja rrezikoi sërish 6 minuta më pas, me Gashin që dhuroi një pasim të përsosur për Lenjanin që nuk kontrolloi sic duhet me topin që kaloi ngjitur me shtyllën. Shqipëria ishte e bukur jo vetëm në tribuna por dhe në fushë (tiozja), ku Djimshiti provoi një gol spektakolar me roveshatë. Pjesa e parë u mbyll me 45 minuta të barabarta dhe me një Shqipëri më të rrezikshme te porta kundërshtare. Gjithsesi në pjesën e dytë rreziku i parë u regjistrua në portën shqiptare, me Agollin që në të 53-tën pasi pati një moment hezitimi arriti të largojë në goditje këndi. 3 minuta më pas ishte Berisha që bëri mrekullinë duke ndalur goditjen e Jorgensenit, për të mbajtur të paprekur shifrat në “Parken”. Në të 60-tën, Berisha fitoi dhe një tjetër duel me Jorgensenin por nuk kishte përfunduar ende me pritjet pasi në tjetër vendimtare e realizoi në të 64-trën. Gjithsesi një ndërhyrje të madhe e kishte dhe Cana që në të 71-tën, i hoqi nga këmbët Bendtnerin topin e golit.

Në të 74-trën, Bendtner më në fund ja doli të shënonte, por vetëm për vete, pasi për gjyqtarin goli ishte i parregullt, si pozicioni i sulmuesit. Shqipëria kishte nevojë për mbështetje dhe kuqezinjtë me qeleshe u ngritën në tribuna si një valë e vetme për t’i dhënë zemër formacionit të De Biasit (82-te). Minutat e mbetura ishin një presing i madh i danezëve në portën tonë, me të gjithë stadiumin që qëndronte në këmbë, në kërkim të golit, që për pak erdhi në të 92-tën për Shqipërinë, me Roshin që nuk dërgoi dot në rrjetë një top që mund të vlente një Europian. U mbyll 0-0, me Shqipërinë që vazhdon të mbetet e pathyer, ashtu si ëndrra jonë europiane.