Shqipëria do të pranojë kontingjentin e ri të vaksinave të Pfizerit

E publikuar: 22/02/2021 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria do të pranojë të hënën edhe 8,190 doza të reja të vaksinës kundër COVID-19, të kompanisë amerikane, Pfizer.

Kështu ka njoftuar në Facebook, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgeta Manastirliu duke shtuar se fushata e vaksinimit do të vazhdojë për personat mbi 80 vjeç.

“Sot ne kemi mbi 4,600 jetë mjekësh, infermierësh e stafesh spitalesh më të mbrojtur, për shkak të vaksinimit. Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtura për shkak të fillimit të vaksinimit”, ka shkruar Manastirliu.

Sipas saj numri i dozave të siguruara të vaksinës nuk është i vogël, pasi ka përmendur se disa vende ende nuk kanë nisur vaksinimin kundër sëmundjes COVID-19.

“Janë plot 140 vende që ende nuk kanë nisur vaksinimin”, ka thënë ministrja Manastirliu.
Vaksinimi kundër COVID-19 në Shqipëri nisi më 11 janar, me vaksinat e kompanisë farmaceutike amerikane, Pfizer.

Ndërkohë, Shqipëria mori 975 doza vaksine donacion nga një vend i paspecifikuar i Bashkimit Evropian.

Më 16 shkurt, Shqipëria pranoi edhe një kontingjent prej 7,020 dozash të Pfizer-it.

Po atë ditë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se pritet që në prill të arrijë kontingjenti i parë i 360 mijë dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”, por pa treguar se nga cili shtet pritet t’i sigurojë këto vaksina.