Shqipëria 2 fiton dhe bind ndaj Luksemburgut

E publikuar: 29/03/2016 23:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria rigjen buzëqeshjen në Luksemburg ku arriti të dhuronte një paraqitje bindëse për të kaluar 2-0 vendasit në “Josy Barthel”. Shqipëria 2, thënë kështu pasi luajtën për pjesën më të madhe lojtarët që nuk janë aktivizuar shumë më parë fiton edhe bind duke dhënë sinjale pozitive para Europianit me të dy sulmuesit që luajtën, Cikalleshin dhe Sadikun që gjetën rrugën e rrjetës.

Në Josy Barthel ku dominonte tifozeeria kuqezi me vendasit që kishin shfaqur pak interes për takimin, De Biasi e niste me formacion krejt ndryshe nga ai ndaj Austrisë, vetëm Berisha ishte i njëjti mes titullarëve, me Veselin, Alijin, Gjimshitin, Ajetin në mbrojtje, në mesfushë Memushaj me shiritin e kapitenit në mungesë të Canës, bashkë me Kukelin e Bashën, ndërsa para Cikalleshi me Shalën e Gashin nga krahët. E ndërgjegjshme se këtë herë i duhej të bënte lojën, Shqipëria e nisi në sulm, Cikalleshi tentoi në minutën e 5 me një goditje komplet jashtë shënjestre, ndërsa në minutën e 18 Shkëlzen Gashi shfaqi klasin e tij me një goditje dënimi duke kaluar barrierën por jo portierin Joubert që u përgjigj gati. Në goditjen e këndit menjëherë më pas është Cikalleshi që tenton këtë herë me kokë pa gjetur karërkndëshitn, ndërsa Joubert mes shtyllave i thotë jo dy herë rradhazi Veselit në tentativën e tij me kokë dhe më pas edhe Herolind Shalës. Pas gjysmë ore lojë Luksemburgu fillon të nxjerrë kokën para me Delgadon që impenjon Berishën, por gjithsesi pa shumë rrezikshmëri. Episod vendimtar në ekstremin e pjesës së parë me Cikalleshin që merr një krosim të gjatë dhe avancon i vetëm drejt portës, zotëron topin dhe kalon dhe Joubert që detyrohet ta ndalë në mënyrë të parregullt, duke merituar kështu kartonin e kuq. Në goditjen e dënimit, sulmuesi kavajas gabon vetëm për pak centimetra dhe pjesa e parë përfundon me porta të paprekura.

E dyta nis me Ergus Kacen që zë vendin e Kukelit, rast për Luksemburgun në të 55 me Bensi që kërcënon portën e Berishës. Në të 60 momenti i debutimit te Milot Rashices me Kombetaren e madhe me talentin e ri që futet bashkë me Shehin, Sadikun, dhe Lenjanin me Berishen, Bashën, Memushaj, Shalën dhe Alijin që ju bëjnë vend. Vetëm 3 minuta i duhen Sadikut për të gjetur golin e avantazhit, me Ergys Kacen që kombinon në të djathtë me Veselin, merr krahun dhe kroson në qendër, aty ku nuk fal sulmuesi nga Elbasani. 1-0 me gol të Sadikut që feston me përqafimin me kapitenin Cana në stol, ndërsa De Biasi në momentin e clirimit përgëzimin e ka me shpulla. Në minutën e 67 futet dhe Roshi për Ajetin, dhe në të 75 Shqipëria gjen golin e dyfishimit me Sokol Cikalleshin. Sulmuesi kavajas merr një pasim në zonë nga Gashi, reziston bukur duke ju shmangur markimit në rrotullim e siper për tu liruar dhe shënuar golin e 2-0. Fantastik Cikalleshi në këtë veprim që tregon forcë dhe klas.Në të 78 provon golin e befasisë nga larg Milot Rashica me një goditje të ulët që del jashtë shtyllës në të djathtë të Moris, porta e të cilit kthehet menjëherë më pas në tabelë qitje me Ermir Lenjanin dhe Ergys Kacen që tentojnë me goditjet e tyre. Minutat e mbetura ka vend dhe për spektakël, me këtë driblim të Kaces në zonën e Luksemburgut. Nuk ka më shumë gjëra për të treguar dhe mbyllet gjithcka 2-0 me Shqipërinë që u shfaq solide në mbrojtje dhe agresive në sulm në miqësoret e fundit para grumbullimit në Austri, ku do të ketë si kundërshtarë të konfirmuar deri më tani Kanadanë dhe Katarin.