Shqipëri: Numërohen 90 për qind e votave – prin Partia Socialiste

E publikuar: 27/04/2021 10:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Socialiste në Shqipëri kryeson si forcë e parë në tetë qarqe të vendit, ndërkohë që mbi 90 për qind e kutive të votimit janë numëruar.

Deri më tani, Partia Socialiste rezulton me 73 mandate, Partia Demokratike ka një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku deri më tani ka marrë 59 vende në kuvendin e ri, krahasuar me 46 që ka pasur në 2017.

Ndërsa, Lëvizja Socialiste ka pësuar humbje, ku ka arritur që të marrë vetëm pesë mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vlerësuar se i duhet 48 orë për të përcaktuar fituesin preliminar të zgjedhjeve të 25 prillit për 140 mandatet në 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor.

Pra, rezultati preliminar për zgjedhjet e 25 prillit pritet të bëhet i ditur zyrtarisht të martën.

Në zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë të drejtë vote kishin 3.6 milionë qytetarë.

Qytetarët votuan për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në Shqipëri, të dielën u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48.59 për qind, përkatësisht 1.729.834 qytetarë.

Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore.

Për krijimin e qeverisë, partia apo koalicioni fitues duhet të ketë së paku 71 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.