Shqipëri: Katër viktima dhe 104 të prekur me COVID-19

E publikuar: 23/03/2020 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy qytetarë humbën jetën si pasojë e koronavirusit në Shqipëri, dhe një tjetër ka pësuar vdekje klinike. Këto shifra të reja, e çojnë në 4 numrin e të vdekurve nga COVID-19 në vend.

Në anën tjetër, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 104 numrin e të prekurve nga 856 raste të dyshuara dhe të testuara.

Në komunikimin e përditshëm me gazetarët, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, konfirmoi se harta e prekjes nga koronavirusi është zgjeruar dhe bëri apel për qytetarët të respektojnë masat e distancimit social.

“Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet tashmë edhe në Vlorë, Shkodër dhe zgjerohet në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluara për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit”, tha Manastirliu.

Ajo bëri të ditur se të hënën kanë lënë shërbimin infektiv dhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, në Shqipëri është:

• Tiranë 68 qytetarë

• Durrës 7 qytetarë

• Lushnje 2 qytetarë

• Elbasan 2 qytetarë

• Fier 12 qytetarë

• Rrogozhinë 2 qytetarë

• Kavajë 3 qytetarë

• Korcë 3 qytetarë

• Vlorë 4 qytetarë

• Shkodër 1 qytetar

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në Spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 49 pacientë të shtruar. Tre prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes rrjetit social Facebook ka thënë se se vendi po përballet me një javë të vështirë, pasi numri i të vdekurve dhe të prekurve me COVID-19 duket se po shtohet.

“Kemi hyrë në një javë tejet të vështirë dhe po humbasim njerëz. Kemi vetëm një gjë në dorë për të kursyer sa më shumë jetë dhe lehtësuar sa të mundemi vuajtjet e mëdha: Të shtrëngojmë dhëmbët dhe durojmë duke mos shkelur ligjin e luftës për kufizimin e lëvizjes; duke mos dalë nga shtëpia kot; duke ecur vetëm në rrugë kur kemi një domosdoshmëri jashtë shtëpisë; duke ndenjur në radhë në distancë minimumi 1 metër pas kurrizit të njëri – tjetrit kur bëjmë pazar; duke rezistuar, rezistuar, rezistuar”, shkruan Rama.

Autoritetet në Shqipëri kanë marrë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen evirusit vdekjeprurës duke mbullyr vende që grumbullojnë qytetarë si shkolla, qendra tregtare, lokale, dhe duke kufizuar lëvizjen e këmbësorëve e makinave me dy orare në ditë.