Shqipëri: 69 raste të reja me COVID-19

E publikuar: 15/06/2020 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i rasteve me koronavirus në Shqipëri është rritur për të disatën ditë me radhë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 319 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 69 persona.

Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha se shifra e lartë lidhet me uljen e kujdesit dhe moszbatimin e masave të rekomanduara dhe të përcaktuara nga autoritetet.

“Gjatë javës së fundit ka rezultuar rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, ka një rritje të të shtruarve në spital, por qëndrueshmëri sa i takon fataliteteve. Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore”, tha Tomini.

Ajo shtoi se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se ka kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 për qind e subjekteve janë në aktivitet.

”Për këtë arsye, duhet kujdes i shtuar për zbatimin e rregullave”, tha ajo.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi është në Tiranë me 28 të prekur, 16 në Shkodër, 8 raste pozitive në Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Durrës, 2 në Elbasan, dhe nga 1 rast në Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnje.

Ndërkohë që janë në hetim disa raste të reja në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kamëz dhe Durrës.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personelë shëndetësorë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1,055”, bëri të ditur Tomini.

Aktualisht në spitalin infektiv në vend po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej të cilëve janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç dhe mbi 60 për qind e tyre janë nga Tirana.

Aktualisht në Shqipëri janë 499 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

“Nisur nga fakti se ditët e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore”, tha Tomini.

Ajo ripërsëriti se çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

Ajo u tha qytetarëve se kur dalin, duhet të qëndrojnë në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, të lajnë duart, të përdorin maska ose barriera mbrojtëse dhe të dezinfektojnë e ajrosin ambientet ku qëndrojnë.

Shqipëria gjatë javës së fundit është duke shënuar numra rekord të të prekurve me koronavirus.

Në vend janë hequr të gjitha masat e detyrueshme të mbylljes së bizneseve, karantinimit e izolimit të njerëzve. Sipas qeverisë, tani është përgjegjësi e vetë qytetarëve që të kujdesen dhe të zbatojnë rekomandimet për distancim.

Virusi ka lënë të vdekur 35 persona, prej kur u shfaqën rastet e para në Shqipëri në muajin mars.