Shqetësime për përhapjen e lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 28/02/2020 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut aktivizimin e lajmeve të rreme gjatë fushatës zgjedhore përmes mediave online tek të cilat kanë ndikim thonë se e përdorin si armë për të goditur kundërshtarët politikë dhe se kjo praktikë bëhet gjithnjë e më e pranishme në periudhën e fushatës parazgjedhore theksojnë punonjësit në media.

Kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Katerina Sindadinovska, thotë se titujt bombastik janë një nga truket kryesore që përdorin mediat online për të plasuar lajme të rreme të cilat janë të pranishme dhe në rrjetet sociale gjatë fushatës parazgjedhore.

“Në çdo lajm me tituj si “shokuese ”, “sensacionale”, “shikoni çka ndodhi” e kështu me radhë, mendoj se ato tekste janë alarm dhe paraqesin sinjal në vete.

“Përfundimisht, këtu është dhe Regjistri i mediave profesionale online, të cilin ne e promovuam me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë. Nëse jo diçka tjetër, tashmë e dini se ato portale që janë në regjistër, kanë redaksi, janë të obliguara që t’i respektojnë standardet profesionale. Ato janë anëtaret tona, kështu që ne kemi mekanizmat se si ta kontrollojmë punën e tyre”, ka theksuar Sinadinovska.

Përderisa, Sefer Tahiri, komunikolog, për Radion Evropa e Lirë thotë se lajmet e rreme përdoren nga partitë politike si mjet për të manipuluar realitetin dhe veçanërisht për të goditur kundërshtarët politikë.

“Ky fakt mendoj se ndikon shumë në atë që popullata apo qytetarët të manipulohet jashtëzakonisht shumë nga këto lajme të rrejshme.

Vlerësoj që një nga fenomenet që është I pranishëm në mediat e vendit është gjuha e cila brenda vetes përmban urrejtje mbi baza etnike po edhe mbi baza fetare “ thekson Tahiri

Ai në këtë drejtim nënvizon se rol të veçantë kanë organet e drejtësisë duke vënë në zbatim të lirë ligjin për shpifje.

“Vetëm në atë mënyrë do të kemi një farë forme ulje të përdorimit të gjuhës që ne vete përmban fyerje, ofendime mbi baza politike mbi baza partiake, mbi baza politike, mbi baza ideologjike dhe mbi baza të ndryshme etnike dhe fetare ose që përmban elemente të shpifjes për arsye të motiveve elektorale për përfitime në fushatën zgjedhore”, thotë Tahiri.

Ndërkaq, kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Katerina Sindadinovska, problemin e sheh edhe në ndikimin e politikës përmes ndarjes së mjeteve financiare për të promovuar politikat e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

“Një pjesë e madhe e mediave lokale financohen nga komunat dhe nga ndërmarrjet publike, çka sërish do të thotë – dhënie të parave të shtetit mediave. Mendoj se ajo politikë e parave shtetërore, publike, të cilat derdhen në media, mund të jenë kontestuese, për shkak se kjo paraqet mënyrë ndikimi dhe presioni”.

Ajo që më brengos është që kolegët tanë, të cilët prerazi ishin kundër parave publike në media në kohën e Gruevskit, janë të njëjtët ata që tani kërkojnë para publike të derdhen në mediat e tyre, gjë që për mua është skajshmërisht joparimore dhe kjo i rrënon pozicionet në raport me cilëndo qeveri – edhe tani, edhe në të ardhmen“, thekson Sinadinovska.

Ekspertët e mediave theksojnë se boshti kryesor për mbrojtje nga lajmet e rreme mbeten mediat profesionale të cilat me lajme burimore kontribuojnë në kristalizimin e eterit mediatik.