Shqetësime për “bosnjëzimin” e Kosovës

E publikuar: 02/09/2015 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me marrëveshjen e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova rrezikon të shkojë drejt “bosnjëzimit”, është thënë të mërkurën në një tryezë që ka organizuar subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë tryezë, me temën: “Kosova pas Marrëveshjeve në Bruksel – Implikimet për sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit – Çfarë duhet të bëjmë ne”, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive tjera opozitare.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka vlerësuar se kjo marrëveshje nënkupton shkrirjen e subjektivitetit të Kosovës dhe fuqizimin e rolit të Serbisë brenda Kosovës.

Ndërkaq Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se me këtë marrëveshje Kosova po shkon drejt federalizimit dhe modelit të Bosnjës, ku komunat me shumicë serbe gradualisht fuqizohen deri në arritjen e autonomisë politike-territoriale.

“Të mos harrojmë që edhe Republika Serbe në Bosnjë pati filluar si “zajednicë”, si bashkim i komunave serbe. Kudo nëpër vendet e ish-Jugosllavisë, Serbia, përmes instrumentalizimit të popullatës serbe e ka ndjekur strategjinë e krijimit të autonomive territoriale për popullatën e vet të cilat territore i kontrollon pastaj nëpërmjet diktatit politik”.

“Këtë e kemi parë në Kroaci, është përpjekur, por nuk ka arritur ta bëjë. Kurse në Bosnjë ka tentuar në të njëjtën mënyrë dhe ka arritur të krijojë një entitet të fuqishëm”, ka theksuar Konjufca.

Në debat, është përfshirë edhe Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai ka thënë se me vet faktin që Qeveria e ka kamufluar përmbajtjen e kësaj marrëveshje duke i dhënë shumëkuptimësi nëse lexohet në tri gjuhë, në atë shqipe, serbe dhe gjuhën angleze, tregon se ajo është e dëmshme për vendin.

“Konsideroj se prej shpalljes së pavarësisë nuk ka pasur ngjarje që ka dëmtuar më shumë sesa kjo Kosovën. Kamuflimi me dykuptimësi në tri gjuhë në dokumente është mënyra më e mirë për të parë se kemi të bëjmë me një hedhje hi syve të opinionit në Kosovë, për ta mashtruar këtë opinion”, tha Isufi.

Me konstatimet e opozitës nuk pajtohen zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se ajo nuk parasheh asnjë kompetencë ekzekutive për këtë trup.

“Është me rëndësi të theksohet që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, nuk do të jetë niveli i tretë i qeverisjes në Kosovë. Marrëveshja është publike, qytetarët kanë pasur rastin ta lexojnë, analizojnë dhe se ajo është shumë e qartë, ashtu siç kemi premtuar kjo marrëveshje është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj”, ka thënë Tahiri.

Marrëveshja për Asociacionin / Bashkësinë e komunave serbe

Tryeza e Lëvizjes Vetëvendosje ishte prezantuar si një debat se çfarë të ndërmerret tutje pas marrëveshjes për Asociacionin serb, transmeton rel.

Por, kjo Lëvizje ka paralajmëruar edhe, siç i ka quajtur, masa radikale dhe protesta në kundërshtim të zbatimit të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.