Shpërthimi në Athinë: Ish-kryeministri grek u lëndua në pothuajse në gjithë trupin

E publikuar: 26/05/2017 08:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri grek Lucas Papademos është plagosur mbrëmë nga një shpërthim brenda makinës së tij në Athinë. Raportet thonë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një letër-bombë, transmeton Express.
Papademos, 69-vjeçar, kishte lëndime në këmbë, në krah dhe stomak, por zyrtarët thanë se gjendja e tij nuk është shqetësuese.

Edhe shoferi i ish-kryeministrit u plagos nga ky shpërthim, por nuk është në gjendje të rëndë shëndetësore. Raportimet e mediave në Greqi thonë se edhe një person tjetër ishte në makinë me ish-kryeministrin grek.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e së enjtes mbrëma që ndodhi në Athinë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Papademos u emërua kryeministër në nëntor të 2011’ës, kur Greqia gjendej në mes të trazirave politike dhe ekonomike. Ai shërbeu në post deri në maj të 2012’ës.

Ai gjithashtu ka shërbyer edhe si nënkryetar i Bankës Qendrore Europiane.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 18:30 në qendër të Athinës në Greqi.

Pas plagosjes së ish-kryeministrit grek dhe shoferit të tij, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, të dy janë dërguar në spitalin Evangelismos.

Kryeministri aktual i Greqisë, Alexis Tspiras, i cili po merrte pjesë në samitin e NATO’s në Bruksel, agjencia e lajmeve greke ANA thotë se është informuar për incidentin, mirëpo deri tani nuk ka dhënë asnjë koment.