Shpërthim në ndërtesën e qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës

E publikuar: 10/01/2017 21:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një mjet shpërthyes është hedhur, të martën në mbrëmje, nga persona tash për tash të panjohur, në ndërtesën e hotelit Sasha në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, duke shkaktuar dëme materiale, kanë bërë të ditur zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Shpërthimi njoftohet të ketë ndodhur rreth orës 20.00 por nuk ka patur pasoja në njerëz.

Hapësirat e hotelit janë marrë me qira pak javë më parë nga Qeveria e Kosovës, të cilat i ka përuruar ministrja për dialog Edita Tahiri.

“Rreth orës 20.02 minuta në rrugën Rugjer Boshkoviq, është hedhur një mjet shpërthyes mbi hotelin Sasha. Mjeti ka shpërthyer por nuk ka të lënduar. Janë shkaktuar dëme materiale”, tha për Radion Evropa e Lirë, shefi i operativës së Policisë së Kosovës në very, Zhelko Bojiq, transmeton rel.

Sulmi mbi ndërtesën që shfrytëzohej nga qeveria e Kosovës në veri të Mitrovicës është i dyti brenda dy javësh, por në sulmin e parë më 28 dhjetor mjeti i hedhur nuk ka shpërthyer.

Ekipet speciale të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes.