Shpërthen vullkani në Guatemalë – dhjetëra të vdekur

E publikuar: 04/06/2018 09:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet në Guatemalë thanë se të paktën 25 veta kanë humbur jetën nga shpërthimi i vullkanit afër Guatemala Cityt, që hodhi llavë të nxehtë dhe mbuloi me tym dhe hi fshatrat përreth.

Zyrtarë të shërbimeve të emergjencave thanë se një numër i panjohur llogariten si të zhdukur, ndërsa më shumë se 3 mijë veta janë evakuuar dhe mbi 600 janë strehuar në provincat Escuintla dhe Sacatepéquez.

“Është një lumë llave që ka tejmbushur brigjet e tij dhe ka prekur fshatin El Rodeo. Ka njerëz të plagosur, të djegur dhe të vdekur”, tha në radio bashkërenduesi kombëtar i emergjencave, Sergio Cabanas. “Ne po evakuojmë dhe po shpëtojmë njerëz.”

Cabanas tha se katër njerëz vdiqën në fshatin El Rodeo kur llava dogji shtëpitë e tyre. Ai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se dy fëmijë u dogjën në një urë derisa po shikonin shpërthimin.

Vullkani Fuego ndodhet rreth 44 kilometra në jugperëndim të Guatemala Cityt dhe është afër qytetit Antigua, një zonë turistike.

Aeroporti La Aurora International, u mbyll nga frika se hiri mund të rrëzojë avionët.

Presidenti, Jimmy Morales, shpalli tre ditë zie kombëtare.